Deputetja demokrate, Ina Zhupa, ka kërkuar thirrjen urgjente të një mbledhjeje për të shqyrtuar trajtimin e të miturve gjatë protestave të ditëve të fundit, si dhe paketën e re të masave të ndërmarra nga qeveria.
Në një reagim në rrjete sociale, Zhupa shpreh shqetësim të thellë për rastet e pretenduara të ushtrimit të dhunës ndaj të miturve nga punonjës të Policisë së Shtetit, duke iu referuar edhe deklaratave të Ministrit të Brendshëm, sipas të cilave deri më 30 tetor janë shoqëruar në polici 269 persona nën moshën 18 vjeç.
Ajo thekson se asnjë rrethanë nuk mund të justifikojë dhunën e paligjshme ndaj një të mituri apo cenimin e të drejtave dhe garancive që atij i njihen nga legjislacioni shqiptar dhe konventat ndërkombëtare.
Një tjetër çështje që, sipas Zhupës, duhet të trajtohet është paketa e re e masave të qeverisë, ku përfshihet akti normativ për tubimet dhe përgjegjësia financiare e prindërve për dëmet e shkaktuara nga të miturit.
Zhupa i cilëson këto masa antikushtetuese dhe kërkon që ato të shqyrtohen në raport me interesin më të lartë të fëmijës, individualizimin e përgjegjësisë dhe parimin e proporcionalitetit.
“Në cilësinë e nënkryetares së Grupit “Miqtë e Fëmijëve”, kam kërkuar thirrjen urgjente të një mbledhjeje për trajtimin e të miturve gjatë protestave të ditëve të fundit dhe për shqyrtimin e paketës së masave të qeverisë.
Duke shprehur shqetësim të thellë mbi ushtrimin e dhunës ndaj të miturve nga punonjës të Policisë së Shtetit ku sipas deklarimeve të Ministrit të Brendshëm, deri më 30 tetor janë shoqëruar në polici 269 persona nën moshën 18 vjeç.
Asnjë rrethanë nuk mund të justifikojë dhunën e paligjshme ndaj një të mituri apo cenimin e garancive që legjislacioni shqiptar dhe konventat ndërkombëtare i njohin atij.
Grupi duhet diskutoj gjithashtu mbi paketën e re të masave të qeverisë, përfshirë aktin normativ për tubimet dhe përgjegjësinë financiare të prindërve për dëmet e shkaktuara nga të miturit. Këto masa janë antikushtetuese dhe duhet të shqyrtohen nga këndvështrimi i interesit më të lartë të fëmijës, individualizimit të përgjegjësisë dhe proporcionalitetit.
E drejta kushtetuese e protestës nuk mund të bëhet objekt penalitetesh dhe ushtrimi dhune vetëm sepse nuk i pëlqen Edi Ramës”,- shprehet Zhupa.
The post Zhupa kërkon mbledhje urgjente për dhunën ndaj të miturve në protesta: Masat e qeverisë antikushtetuese! appeared first on GIJOTINA.