Masat anti protestë/ Policia ndëshkon 36 qytetarë me nga 50 mijë lekë pasi protestuan kundër Ramës

Policia gjobit me nga 50 mijë lekë të vjetra 36 qytetarë që protestuan kundër qeverisë Rama në Tiranë. Masat administrative janë vendosur pasi protestuesit bllokuan qarkullimin e automjeteve gjatë tubimit të zhvilluar një ditë më parë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në rrugën e Durrësit.

Sipas njoftimit të Policisë, për secilin prej 36 qytetarëve është vendosur një gjobë prej 5 mijë lekësh të reja. Policia pretendon se qytetarët nuk iu bindën thirrjeve të përsëritura të efektivëve, të bëra përmes megafonit, për lirimin e rrugës dhe normalizimin e qarkullimit.

Njoftimi i Plotë:

Tiranë Bllokuan rrugën dhe penguan qarkullimin e automjeteve gjatë tubimit të djeshëm, vendosen 36 masa administrative, në zbatim të Aktit Normativ. Në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, sipas pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 36 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative.

Masat administrative janë vendosur pasi, gjatë tubimit të zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në rrugën e Durrësit, këta shtetas kanë bllokuar rrugën, duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë, nëpërmjet megafonit, për lirimin e rrugës, nuk u janë bindur këtyre thirrjeve. Për secilin është vendosur masa e gjobës në vlerën 5 000 lekë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme

The post Masat anti protestë/ Policia ndëshkon 36 qytetarë me nga 50 mijë lekë pasi protestuan kundër Ramës appeared first on GIJOTINA.