Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë më 2 dhjetor kërkesën e gjyqtarëve dhe prokurorëve për pezullimin dhe shfuqizimin e formulës së re të llogaritjes së pagave, të miratuar nga mazhoranca në Kuvend.
Kërkesa është depozituar nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Unioni i Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve, të cilat kundërshtojnë ndryshimet ligjore me argumentin se nuk garantojnë nivelin e duhur të pagës referuese.
Në fokus të mosmarrëveshjes është baza mbi të cilën përllogariten pagat e magjistratëve. Gjyqtarët dhe prokurorët kërkojnë që paga e tyre të lidhet me atë të një funksionari të lartë të administratës publike, e cila i nënshtrohet indeksimit periodik, dhe jo me pagën e Presidentit të Republikës.
Formula e miratuar nga Kuvendi parashikon një rritje prej rreth 8 500 lekësh të pagës referuese, por magjistratët e konsiderojnë këtë shumë të pamjaftueshme.
Sipas tyre, duke iu referuar vendimeve të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, rritja e pagës referuese duhet të arrijë të paktën 80 mijë lekë.
Për këtë arsye, tre organizatat i janë drejtuar Kushtetueses, duke kërkuar rrëzimin e ndryshimeve ligjore. Seanca e 2 dhjetorit do të përqendrohet te kushtetutshmëria e formulës së re të pagave dhe pretendimet e ngritura nga gjyqtarët dhe prokurorët.
The post Përplasja për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Kushtetuesja shqyrton kërkesën më 2 dhjetor appeared first on GIJOTINA.