Mashtim kibernetik/ Kujdes nga SMS-të false në emër të bankave! Mos klikoni në linke të dyshimta

Një tjetër skemë mashtrimi përmes mesazheve telefonike po synon klientët e bankave në Shqipëri.

Sipas pamjeve të mbërritura në redaksi, disa SMS mashtruese që përdorin emrin e Raiffeisen Bank, kanë mbërritur në e-mailin e përdoruesve, me qëllim përvetësimin e të dhënave personale dhe bankare.

Bëhet fjalë për një formë mashtrimi të njohur si “smishing”, ku qytetarët marrin mesazhe që u kërkojnë të përditësojnë ose verifikojnë urgjentisht të dhënat e tyre, me pretendimin se në të kundërt mund t’u pezullohen shërbimet bankare.

Mesazhet përmbajnë lidhje të dyshimta, të cilat i drejtojnë klientët në faqe të rreme. Atyre u kërkohet të vendosin të dhënat personale, numrin e kartës bankare dhe kodet njëpërdorimëshe të sigurisë.

Pasi këto informacione dorëzohen, mashtruesit mund t’i përdorin për të hyrë në llogaritë bankare dhe për të kryer transferta apo pagesa pa autorizimin e klientëve.

Këshillohet që qytetarët të mos klikojnë në lidhjet që vijnë përmes mesazheve të dyshimta dhe të mos ndajnë asnjëherë të dhënat e kartës apo kodet e sigurisë.

Klientëve u këshillohet gjithashtu të aksesojnë shërbimet bankare vetëm përmes kanaleve zyrtare dhe të kontaktojnë menjëherë bankën nëse kanë klikuar në ndonjë link të dyshimtë apo kanë ndarë të dhënat e tyre.

The post Mashtim kibernetik/ Kujdes nga SMS-të false në emër të bankave! Mos klikoni në linke të dyshimta appeared first on GIJOTINA.