Etrit Berisha përjeton momente të mira në Suedi, portieri i Kombëtares i shkel “syrin” rekordit historik

Edhe pse aktivizohet në ligën e Suedisë, Etrit Berisha vijon të qëndrojë në nivelet e larta të performancës në fushë. Portieri i Kombëtares po kthehet në “mur” për skuadrën e tij Hacken, e cila mposhti Goteborgun 1-0, ndërsa bilanci në portë mbetet fantastik. Me Berishën në portë, Hacken nuk pëson gol prej 7 ndeshjesh radhazi, që përkon me 659 minuta aktive në fushë me rrjetën e paprekur.

Për herë të fundit, gardiani kuqezi merrte gol më 29 gusht, në atë humbje 1-2 ndaj Vasteras, ndërsa me hyrjen në muajin nëntor, Berisha po bën 2 muaj që nuk e njeh golin në “terrenin” e tij. Statistikë interesante që mund të thellohet akoma edhe më shumë në dy ndeshjet e radhës, madje duke barazuar një rekord të vjetër. Hakan Svenson mban podiumin me 808 minuta lojë pa pësuar gol në vitet 1999-2000 dhe Berisha mund të bëhet “sebepi” që në Suedi të kemi një “pronar” të ri.

Sinjale të mira këto edhe për Kombëtaren, e cila do të luajë dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve, me Finlandën dhe Bjellorusinë. Për herë të fundit, Etrit Berisha nuk la shije të mirë në transfertën finlandeze duke u ndëshkuar me kartonin e kuq në pjesën e parë. Ndërsa tani, ka ardhur momenti që gardiani shqiptar të korrigjojë gabimet dhe ta përdorë momentin e mirë që po kalon me suedezët, edhe me fanelën e Shqipërisë.

The post Etrit Berisha përjeton momente të mira në Suedi, portieri i Kombëtares i shkel “syrin” rekordit historik appeared first on GIJOTINA.