Protesta/ 6 persona të arrestuar dhe tre të proceduar. Dy të tjerë shpallen në kërkim

Policia ka arrestuar 6 persona, mes tyre dy të mitur, në vijim të hetimeve për aktet e dhunës të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme.

Tre persona të tjerë janë proceduar penalisht, ndërsa dy janë shpallur në kërkim.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë tubimit protestuesit kanë kundërshtuar dhe goditur punonjësit e Policisë me sende të forta, lëndë piroteknike, bomba molotov, sfera dhe vida metalike. Gjithashtu, raportohet se është bllokuar qarkullimi i automjeteve dhe janë djegur kazanë mbeturinash.

Në pranga kanë rënë A. Sh., 26 vjeç, L. K., 18 vjeç, F. Ç., 38 vjeç, K. R., 35 vjeç, shtetas i huaj, si dhe dy shtetas të mitur.

Gjatë kontrolleve, policia ka gjetur dhe sekuestruar bomba molotov në posedim të dy prej të arrestuarve, konkretisht L. K. dhe A. Sh.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurori për një sërë veprash penale, mes të cilave “Vrasja e punonjësit të Policisë”, e mbetur në tentativë, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, si dhe shkelje që lidhen me mbajtjen dhe përdorimin e lëndëve plasëse dhe armëve shpërthyese.

The post Protesta/ 6 persona të arrestuar dhe tre të proceduar. Dy të tjerë shpallen në kërkim appeared first on GIJOTINA.