Avokati i Popullit: Dhuna duhet të jetë proporcionale, po verifikohen rastet e përdorimit të forcës si dhe identifikimi i punonjësve të policisë

Avokati i Popullit ka kërkuar verifikimin e plotë të ndërhyrjes së Policisë së Shtetit gjatë protestës së së shtunës përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, duke theksuar se përdorimi i forcës duhet të jetë gjithmonë i domosdoshëm, i ligjshëm dhe proporcional.

Gjatë monitorimit u konstatua përdorimi i gazit lotsjellës dhe ujit me presion, ndërsa në komisariate u shoqëruan nëntë persona, mes tyre katër të mitur.

Institucioni ka rekomanduar hetimin e përdorimit të forcës nga ana e efektivëve të policisë, instalimin e kamerave për regjistrimin e intervistave në komisariate, dokumentimin e arsyeve të çdo shoqërimi dhe identifikimin e punonjësve të policisë përmes numrave në uniformë.

Njëkohësisht, Avokati i Popullit u ka bërë thirrje qytetarëve që pretendojnë se u janë shkelur të drejtat gjatë protestës të paraqesin ankesa pranë institucionit.

Njoftimi i plotë:

Tiranë, 1 nëntor 2026

Avokati i Popullit thekson se përdorimi i forcës nga policia duhet të përdoret vetëm kur është i domosdoshëm, i ligjshëm dhe proporcional. Ky standard vlen për çdo protestë.

Protesta përpara Ministrisë së Arsimit filloi rreth orës 12:00 të së shtunës, 31 tetor 2026. Rreth një orë më vonë, situata u përshkallëzua në përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Kostatuam përdorimin e gazit lotsjellës dhe të ujit me presion nga katër automjete të posaçme të policisë.

Grupi i monitorimit i Avokatit të Popullit inspektoi komisariatet nr. 1, 3 dhe 4 dhe mori informacion nga komisariatet nr. 2, 5 dhe 6. Gjatë protestës u shoqëruan nëntë persona: gjashtë në Komisariatin nr. 1 dhe tre në Komisariatin nr. 3. Katër prej tyre ishin të mitur. Katër të rriturit në Komisariatin nr. 1 deklaruan se ishin kalimtarë dhe nuk kishin marrë pjesë në protestë.

Dy të miturit në Komisariatin nr. 1 u intervistuan në prani të psikologut dhe të Agjencisë për Mbrojtjen e Fëmijëve, dhe familjet e tyre u njoftuan. U konstatua sërish se në këtë komisariat nuk ka sistem audioviziv për regjistrimin e intervistave.

Për në vijim Avokati i Popullit rekomandon:

Verifikim të plotë të përdorimit të forcës, me vlerësim të domosdoshmërisë, ligjshmërisë dhe proporcionalitetit të mjeteve, përfshirë gazin lotsjellës dhe ujin me presion.

Instalimin e sistemit audioviziv për regjistrimin e intervistave.

Dokumentimin e arsyeve konkrete për çdo shoqërim, dhe informimin e çdo të ndaluari për arsyet e ndalimit.

* ⁠Identifikimin e çdo punonjësi të policisë në çdo kohë duke garantuar që uniforma përmban numrin e identifikimit.

Avokati i Popullit fton çdo person, i cili beson se të drejtat e tij janë shkelur gjatë protestës ose gjatë shoqërimit, t’i drejtohet institucionit me ankesë individuale.

The post Avokati i Popullit: Dhuna duhet të jetë proporcionale, po verifikohen rastet e përdorimit të forcës si dhe identifikimi i punonjësve të policisë appeared first on GIJOTINA.