Noka: Do t’i mbështesim studentët në protestën e tyre, shqiptarët kërkojnë sot shtet

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka përcjellë një mesazh për kryeministrin Edi Rama nga protesta e opozitës para Kryeministrisë, e thirrur në mbështetje të studentëve. Duke folur për mediat, Noka kërkoi largimin e Ramës nga pushteti, ndërsa deklaroi se PD do të mbështesë kërkesat e studentëve dhe se protesta e opozitës do të vijojë në krah të tyre.

“Të gjithë shqiptarët kanë vetëm një mesazh dhe ne si demokratë e përcjellim sot këtu, studentët që janë atje. Ka vetëm një mesazh: Edi Rama largohu, ti nuk mund ta mbash pushtetin me dhunë. Askush nuk të do më, askush nuk të mbështet më. Me dhunë policore e kanë tentuar edhe diktatorë të tjerë dhe ti e di secili është fundi.

Ndaj edhe kjo është motoja mbi bazën e të cilës është thirrur kjo protestë e dytë kombëtare e PD, për të qenë në sinkron të studentëve, për t’i mbështetur studentët. Kërkesat e tyre duhet të respektohen, zëri i tyre duhet të dëgjohet. PD ka qenë dhe është dhe do të vazhdojë t’i mbështesë kërkesat e studentëve dhe studentët në protestën e tyre. Ne u mblodhëm këtu për të filluar protestën, tashmë protesta do të vijojë tek studentët atje tek sheshi ku ata nisën betejën,” tha Noka.

I pyetur për masat e ashpra për dhunën në protesta, Noka tha se Rama nuk do të mund t’iu mbijetojë energjisë së të rinjve.

“Çaushesku u mundua të mbijetojë në pushtet me masa represive, dhe sot gjithkush e di fundin e tij. Ky popull e ka thyer murin e egër të diktaturës në ’90 dhe nuk ka mur që mund të ndërtojë Rama që mund të mbajë energjinë e studentëve dhe vrullin e qytetarëve për ndryshim. Shqiptarët sot kërkojnë shtet, janë të gjithë në këmbë. “, shtoi ai.

The post Noka: Do t’i mbështesim studentët në protestën e tyre, shqiptarët kërkojnë sot shtet appeared first on GIJOTINA.