Tre drejtues automjetesh janë proceduar penalisht në Durrës, pasi tentuan tu ofronin para efektivëve të Policisë Rrugore për të shmangur ndëshkimin për shkeljet e konstatuara gjatë qarkullimit.
Bëhet fjalë për një 47-vjeçar, i cili u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur dhe ofroi 4000 lekë, një 50-vjeçar me kontroll teknik të skaduar dhe automjet që tejkalonte fuqinë e lejuar nga patenta, i cili ofroi 2000 lekë, si dhe një 23-vjeçar nga Kosova, që po përdorte celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe tentoi të jepte 1000 lekë.
Të tre drejtuesit po hetohen për veprën penale ‘Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike’, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
NJOFTIMI:
Policia Rrugore e Durrësit godet 3 tentativa për mitëdhënie. Procedohen penalisht drejtuesit e automjeteve, të cilët ofruan para për të shmangur masa administrative. Shërbimet e Policisë Rrugore të Durrësit, gjatë monitorimeve intensive për identifikimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, si dhe për parandalimin e aksidenteve dhe për garantimin e parametrave të sigurisë në rrugë, ndaluan për verifikime automjetet që drejtonin shtetasit:
-D. H., 47 vjeç, banues në Durrës, i cili rezultoi se ishte në gjendje të dehur;
-M. Sh., 50 vjeç, banues në Durrës, i cili rezultoi se posedonte certifikatë të kontrollit teknik të automjetit, me afat të përfunduar, si dhe se drejtonte automjet me fuqi motorike më të madhe se ajo e përcaktuar në lejen e drejtimit që posedonte;
-A. S., 23 vjeç, banues në Kosovë, i cili u konstatua duke përdorur celularin.
Për të shmanguar masat administrative, këta shtetas tentuan të korruptonin efektivët, duke ofruar përkatësisht 4000, 2000 dhe 1000 lekë. Në vijim të veprimeve procedurale për të tre ka nisur procedimi penal, për veprën “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
The post Tentuan të korruptojnë policët për tu shpëtuar gjobave, nën hetim tre shoferë në Durrës appeared first on GIJOTINA.