Premtim i çuditshëm i Berishës: S’bëhem kryeministër, nëse fitoj zgjedhjet! Referendum për të më votëbesuar

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se nuk do të marrë automatikisht postin e kryeministrit në rast se opozita fiton zgjedhjet, por për këtë çështje do të vendosin qytetarët përmes një referendumi popullor. I ftuar në emisionin “Çdo kënd” në A2 CNN, Lideri i opozitës tha se kandidatura për kryeministër duhet të votohet veçmas nga rezultati i zgjedhjeve parlamentare. Sipas tij, kjo mund të realizohet pa qenë e nevojshme të bëhen ndryshime kushtetuese.

Ai tha më tej se nuk ka ambicie personale për postin, duke argumentuar se qytetarët duhet të kenë të drejtën të vendosin për kandidaturën e kryeministrit, nëse një forcë politike fiton zgjedhjet dhe përmbush angazhimet e saj elektorale. Kryedemokrati u shpreh i bindur se opozita mund të fitojë zgjedhjet në kushte të lira dhe të ndershme, madje edhe në një afat shumë të shkurtër.

Berisha rikonfirmoi gjithashtu qëndrimin e tij për kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate. Ai argumentoi se Shqipëria ka pasur disa rotacione politike nga viti 1990 deri në vitin 2013, ndërsa sipas tij, prej ardhjes së Edi Ramës në pushtet nuk ka pasur më ndryshim të pushtetit.

“Nuk bëhem kryeministër, nëse fitoj zgjedhjet. Një gjë kam deklaruar se unë kryeministër nuk bëhem pse fitoj zgjedhjet. Jo. Bëhem kryeminsitër me referendum. Po fitova zgjedhjet do votojnë edhe njëherë shqiptarët për kryeministrin. Kushtetuta nuk e pengon se ti u jep mundësi me 3-4 kandidatura me referendum popullor. Absolutisht asnjë ambicie, por respekt. Se nëse ti udhëheq fushatën dhe fiton të gjitha ato që u ke thënë qytetarëve ata kanë të drejtë. Atëherë del problemi që ata duhet të vendosin veças për kandidaturat e kryeministrit. Në kushte të lira, sot opozita fiton zgjedhjet nëse zgjedhjet bëhen brenda një muaji pa Edi Ramën. Jam, sepse nga viti 1990-2013 ka ndodhur 4 rrotacione. Nga 2013 deri më sot asnjë rrotacion sepse në Shqipëri rrotacionin e lejon krimi i organizuar me Edi Ramën”, tha Berisha.

gijotina.com/

The post Premtim i çuditshëm i Berishës: S’bëhem kryeministër, nëse fitoj zgjedhjet! Referendum për të më votëbesuar appeared first on GIJOTINA.