Dy vagonë kanë dalë nga shinat pas përplasjes së dy trenave në linjën Madrid-Andaluzi. Mediat spanjolle raportojnë për të paktën 10 viktima të mundshme, ndërsa autoritetet nuk kanë konfirmuar ende bilancin e ngjarjes.
Një aksident i rëndë hekurudhor ka ndodhur mëngjesin e kësaj të mërkure në Spanjë, ku dy trena pasagjerësh janë përplasur në afërsi të qytetit të Toledos.
Përplasja është regjistruar rreth orës 09:00, në segmentin hekurudhor mes Los Yébenes dhe Urda, pjesë e linjës që lidh Madridin me rajonin e Andaluzisë.
Në aksident janë përfshirë dy trena që lëviznin në drejtime të kundërta, njëri i shpejtësisë së lartë AVE, në pronësi të kompanisë Renfe, dhe tjetri i operatorit hekurudhor Iryo.
Mediat vendase raportojnë se përplasja ka shkaktuar daljen nga shinat të dy vagonëve, të cilët kanë përfunduar në një zonë të pjerrët anës hekurudhës.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit kanë mbërritur forca të shumta shpëtimi, zjarrfikës dhe ekipe mjekësore. Në operacion janë përfshirë edhe helikopterë të urgjencës për t’u ardhur në ndihmë personave të prekur nga përplasja.
Raportimet paraprake flasin për pasoja të rënda dhe dyshime për të paktën 10 viktima, por deri më tani nuk ka një bilanc zyrtar të konfirmuar nga autoritetet spanjolle.
Ndërkohë, administratori i rrjetit hekurudhor spanjoll, ADIF, ka ndërprerë përkohësisht lëvizjen e trenave të shpejtësisë së lartë në korridorin Madrid-Andaluzi.
Autoritetet po punojnë për sqarimin e rrethanave të aksidentit dhe përcaktimin e pasojave të plota të përplasjes.
The post Tragjike në Spanjë/ Dy trena përplasen me njëri-tjetrin, dyshohet për dhjetëra viktima appeared first on GIJOTINA.