Protesta studentore, dita e 14-të: Qytetarë dhe të rinj mblidhen masivisht para Ministrisë së Arsimit

Protesta studentore në Shqipëri vijon për të 14-ën ditë radhazi. Pasditen e kësaj të hëne, një numër i madh studentësh, të rinjsh dhe qytetarësh janë mbledhur sërish përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

Protestuesit vijojnë kundërshtimin ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar dorëheqjen e tij dhe ndryshime në mënyrën e qeverisjes së vendit.

Tubimi i sotëm vjen pas gati dy javësh protestash të pandërprera, të cilat janë shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Gjatë këtyre ditëve janë raportuar edhe raste të personave të plagosur dhe të shoqëruar nga policia.

Pavarësisht zhvillimeve dhe përplasjeve të regjistruara, studentët kanë vijuar mobilizimin, duke këmbëngulur në kërkesën e tyre kryesore për largimin e kryeministrit nga detyra.

Ministria e Arsimit mbetet një nga pikat kryesore të grumbullimit që prej nisjes së lëvizjes studentore. Pjesëmarrësit kërkojnë që kërkesat e tyre të dëgjohen dhe të merren në konsideratë nga institucionet.

The post Protesta studentore, dita e 14-të: Qytetarë dhe të rinj mblidhen masivisht para Ministrisë së Arsimit appeared first on GIJOTINA.