Protesta studentore shtrihet në Korçë, pedagogët dhe studentët bojkotojnë mësimin dhe dalin në marshim

Pedagogë dhe studentë të Universitetit të Korçës kanë bojkotuar mësimin, duke iu bashkuar protestës studentore që po zhvillohet në vend.

Fillimisht, pjesëmarrësit janë grumbulluar në ambientet e universitetit, nga ku më pas kanë nisur marshimin paqësor nëpër rrugët e qytetit, në shenjë solidariteti me studentët dhe kërkesat e tyre.

Përmes këtij veprimi, pedagogët dhe studentët korçarë kanë shprehur mbështetjen për protestuesit, duke e zgjeruar mobilizimin edhe jashtë kryeqytetit.

Marshimi në Korçë vjen në një kohë kur protestat studentore vijojnë në Tiranë, ndërsa kërkesat e të rinjve po marrin mbështetje edhe nga përfaqësues të universiteteve.

Të rinjtë në Korçë janë përballur me policinë para gjimnazit “Themistokli Gërmenji”, duke u bërë thirrje edhe gjimnazistëve të tjerë t’u bashkohen protestës.

“Hiqni kapelet, jeni të pacipë për 2.500 eurot e Ramës”, u drejtohen ata efektivëve, ndërsa i akuzojnë se po bëjnë terror.

“I mbani mirë fëmijët tuaj, po këta të tjerët ku do shkojnë?”, dëgjohet të thotë një prej të rinjve, duke kundërshtuar praninë e policisë.

 

The post Protesta studentore shtrihet në Korçë, pedagogët dhe studentët bojkotojnë mësimin dhe dalin në marshim appeared first on GIJOTINA.