Revoltë në Shkodër, studentët godasin me gurë dhe thyejnë xhamat e bashkisë

Situata është tensionuar në Shkodër, ku protesta e studentëve ka kaluar në përplasje dhe akte dhune ndaj godinës së Bashkisë.

Protestuesit kanë qëlluar me gurë dhe kapsolla drejt institucionit, duke thyer disa xhama, ndërsa në muret e Bashkisë kanë shkruar me bojë.

Gjatë incidenteve raportohet se një vajzë ka mbetur e plagosur nga gurët. Deri tani nuk ka të dhëna të tjera për gjendjen e saj shëndetësore apo rrethanat e sakta të plagosjes.

Ndërkohë, forcat e policisë nuk kanë ndërhyrë për shpërndarjen e protestuesve, por po monitorojnë zhvillimet nga ajri përmes dronëve.

Ngjarjet në Shkodër vijnë në ditën e tretë të protestave të studentëve dhe gjimnazistëve kundër qeverisë, të cilat kanë përfshirë edhe Tiranën.

Në kryeqytet, protesta e sotme është shoqëruar me përplasje të forta përpara Ministrisë së Arsimit dhe Parlamentit, ku policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat e të rinjve.

Ndryshe nga Tirana, ku forcat e rendit kanë ndërhyrë disa herë gjatë paradites, në Shkodër policia ka zgjedhur deri tani të monitorojë protestën, pavarësisht dëmtimeve të shkaktuara në godinën e Bashkisë.

The post Revoltë në Shkodër, studentët godasin me gurë dhe thyejnë xhamat e bashkisë appeared first on GIJOTINA.