“Shkatërroi garën në parti”, Salianji: Berisha nuk flet për Kullën te Pallati Kongreseve, është bashkë me Ramën

Ish-deputeti Ervin Salianji, i ftuar në emisionin “Prime” në News24, ka bërë një analizë të situatës politike në vend dhe protestave të fundit. Salianji theksoi se shumë njerëz nuk e besonin më fuqinë e popullit për t’u ngritur.

“Ndryshimi tek unë ka qenë ky, kam lënë gjithë vëmendjen time për protestën duke e parë si një shpresë për të sjellë ndryshim. E kam thënë edhe më parë, që mund të jem unë, mund të jetë dikush tjetër, por Shqipëria nuk ecën dot më me Ramën dhe Berishën. Berisha është i papranueshëm për PD dhe shoqërinë shqiptare,” deklaroi ai.

I pyetur për rolin e tij dhe të mbështetësve të tij në shesh, Salianji sqaroi se ekipi i tij organizativ ka qenë i pranishëm që në ditët e para dhe vazhdon të jetë atje, ndërsa vetë ka vijuar takimet pa kërkuar të marrë vëmendjen mediatike.

“Nuk kam dashur të marr asnjë vëmendje nga protesta duke çuar gjithë energjinë dhe fokusin te protesta,” u shpreh ish-deputeti.

Më tej, Salianji hodhi akuza direkte ndaj Sali Berishës dhe Edi Ramës për qasjen e tyre ndaj reagimit qytetar. Sipas tij, Berisha fillimisht e sulmoi protestën duke angazhuar njerëzit e tij për të hedhur balte mbi të, për të bërë më pas të kundërtën. Ai përmbylli duke nëvizuar se të dyja palët po punojnë paralelisht për të shuar revoltën: “Përpjekja e Ramës dhe Berishës ka qenë për të çmontuar protestën.”

Salianji sqaroi pozicionin e tij dhe sfidat brenda opozitës, duke theksuar se përfaqësimi i tij ka ardhur përmes votës së bazës.

“Hyra në një garë me votë. Meqë thoni deputetë, 98% e grupit parlamentar, kur ishte Basha, ishin me Bashën,” u shpreh Salianji, duke vënë në dukje luhatjet e mbështetjes politike brenda grupit sipas lidershipit.

Ai hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj Berishës për bllokim të proceseve demokratike dhe mungesë rezultatesh elektorale: “Berisha thotë nuk e lejoj votën këtu në këtë parti. Matet ai që ka përgjegjësinë. A i bëri deputetë siç tha, a i fitoi zgjedhjet lokale, zgjedhjet e përgjithshme? Dilnin dy bashkëkryetarët e komisionit të reformës bënin xhiro në Shqipëri ndërkohë që njerëzit ishin në shesh.”

Në përmbyllje, ish-deputeti paralajmëroi hapa të tjerë politikë nëse situata në opozitë nuk ndryshon pas betejës së ardhshme elektorale: “Do bëj lëvizje prapë për të larguar Sali Berishën nëse PD nuk i fiton zgjedhjet lokale. Në këtë moment ta lëmë luftën brenda dhe të marrim edhe partitë e tjera bashkë.”
Ervin Salianji ka akuzuar Sali Berishën se nuk ka krijuar kushtet për një garë të vërtetë brenda Partisë Demokratike.
Ai deklaroi se vendimi për t’u tërhequr lidhej me mungesën e konkurrencës në procesin e brendshëm të partisë.

Salianji theksoi se nuk ishte çështje e kandidimit të tij personal, por e mundësisë që edhe figura të tjera të garonin për drejtimin e PD-së.

Ai deklaroi se interesi i tij politik është që Partia Demokratike të fitojë zgjedhjet, duke kundërshtuar pretendimet se synon të dëmtojë opozitën apo të favorizojë kryeministrin Edi Rama.

Gjatë intervistës, Salianji iu përgjigj edhe akuzave që, sipas tij, e lidhin me kryeministrin Rama, duke përmendur përvojën e tij me drejtësinë dhe duke ngritur pikëpyetje mbi marrëdhëniet mes aktorëve të politikës.

Ai solli në vëmendje edhe çështjen e një kulle pranë Pallatit të Kongreseve, duke pretenduar se opozita nuk po reagon mjaftueshëm për këtë çështje.

“Nuk la garë Sali Berisha, mund të garonte një tjetër. Nuk është puna se do isha vetëm unë. Ky që e ka marrë peng PD, të thotë çfarëdo që të bëj unë në këto zgjedhje që PD të jetë fituese. Unë u tërhoqa se nuk ka garë. Interesi im është që PD të bëhet fituesi, interesi juaj është ta mundim. Çfarë të bëj unë ta shkatërroj unë? Meqë unë qenkam me Ramën unë kam bërë burg, këta kanë bërë leje, e ke kullën aty. Në kohën kur ishte Berisha në pushtet, dilnit për atë forumin…Ke kullën që po të jepet te Pallati i Kongreseve, kam dalë dhe kam thënë Berisha përse nuk flet për këtë? Sepse është bashkë me Edi Ramën. Nuk flet opozita sepse ia kanë mbyllur gojën”, tha ai.

gijotina.com/

 

The post “Shkatërroi garën në parti”, Salianji: Berisha nuk flet për Kullën te Pallati Kongreseve, është bashkë me Ramën appeared first on GIJOTINA.