Gjykata e Durrësit ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “Arrest në burg” për Feta Matajn, 44 vjeç, bashkëshortin e ish-drejtoreshës së Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj.
44-vjeçari u arrestua pas denoncimeve të punonjëseve të filialit të Postës Shqiptare dhe administrimit të mesazheve telefonike të shkëmbyera mes dy bashkëshortëve. Sipas dëshmive të punonjëseve, Mataj dyshohet se u kërkonte nga 25 mijë lekë të rinj në muaj, duke ushtruar presion ndaj tyre përmes kërcënimit me humbjen e vendit të punës.
Në kuadër të hetimeve, Prokuroria ka ngritur dyshime se pesë punonjës që ushtronin detyrën e arkëtarit janë detyruar t’i jepnin nga 350 euro secili. Për këtë arsye, Mataj akuzohet për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.
Arrestimi i tij vjen në vijim të hetimeve për skandalin financiar në Postën e Durrësit, ku dyshohet se janë përvetësuar 69 milionë lekë të rinj nga fondet e destinuara për pagesat e pensioneve dhe ndihmës ekonomike në degët postare të Shijakut dhe Krujës.
Për këtë çështje, ish-drejtoresha Elisabeta Mataj u arrestua në muajin korrik, së bashku me dy punonjëse të tjera të institucionit, nën akuzën e përvetësimit të fondeve.
Pas më shumë se dy muajsh në paraburgim, masa e sigurisë ndaj Elisabeta Matajt u ndryshua dhe prej 25 shtatorit ajo ndodhet në “Arrest në shtëpi”.
Hetimet vijojnë për të sqaruar rolin e personave të përfshirë, mënyrën e përvetësimit të dyshuar të fondeve dhe pretendimet për shtrëngim të punonjësve në këmbim të ruajtjes së vendit të punës.
The post Vendoste ‘gjoba’ ndaj punonjëseve të Postës së Durrësit, burg për burrin e ish-drejtoreshës Elisabeta Mataj appeared first on GIJOTINA.