Reforma Territoriale / Qytetarët rrethojnë Kuvendin: Shkrini qeverinë, jo bashkitë!

Protesta e 131-të kundër qeverisë është zhvilluar sot në një tjetër pikë të Tiranës, këtë herë pranë Parlamentit, ku deputetët po votojnë projektin për reformën e re territoriale.

Tubimi ka nisur që në orët e paradites, ndërsa protestuesit janë përballur me një prani të shtuar të forcave të policisë, të vendosura në kordon rreth godinës së Kuvendit.

Në fokus të protestës ka qenë votimi i reformës territoriale, për të cilin qytetarët kanë kërkuar anulimin. Përmes pankartave dhe thirrjeve, ata kanë kundërshtuar ndryshimet e propozuara nga mazhoranca dhe kanë deklaruar se nuk pranojnë shkrirjen apo bashkimin e njësive vendore.

“Shkrini qeverinë, jo bashkitë”, është një prej mesazheve të përcjella gjatë tubimit.

Krahas kundërshtimit ndaj reformës, protestuesit kanë kërkuar edhe largimin e qeverisë, duke bërë thirrje për dorëheqjen e kabinetit.

Një tjetër kërkesë e përsëritur gjatë protestës lidhet me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Protestuesit kanë kërkuar që ajo të vihet përpara drejtësisë dhe të arrestohet.

Tubimi vijon në kushtet e një pranie të fortë policore pranë Parlamentit, ndërsa brenda godinës po zhvillohet seanca plenare ku pritet të hidhet në votim reforma territoriale.

 

The post Reforma Territoriale / Qytetarët rrethojnë Kuvendin: Shkrini qeverinë, jo bashkitë! appeared first on GIJOTINA.