Armë dhe municion luftarak në makinë, pranga 38-vjeçarit në Tiranë

Një kontroll policor në një prej rrugëve të Tiranës ka çuar në arrestimin e një 38-vjeçari nga Durrësi, pasi në automjetin me të cilin lëvizte u gjet një armë zjarri dhe municion.

Ngjarja u regjistrua në rrugën “Perlat Rexhepi”, ku efektivët ndaluan makinën e drejtuar nga D.K., 38 vjeç.

Kontrolli i automjetit zbuloi fillimisht një pistoletë, të cilën i riu e mbante në çantën marsup.

Por gjatë kontrollit u gjetën edhe 23 fishekë të tjerë, të fshehur poshtë sediljes së drejtuesit. Policia i mori armën dhe municionin si prova materiale.

Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 2 në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale Tiranë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.

38-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe tashmë do të përballet me akuzën për “Mbajtjen pa leje të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Materialet e mbledhura gjatë operacionit “Gjurma” i janë referuar Prokurorisë, e cila do të vijojë procedurat për rastin.

The post Armë dhe municion luftarak në makinë, pranga 38-vjeçarit në Tiranë appeared first on GIJOTINA.