I armatosur përplas makinën e policisë dhe tenton të arratiset, arrestohet 27-vjeçari (Emri)

Një 27-vjeçar është arrestuar në Mamurras pas një operacioni të Policisë së Lezhës, pasi u lokalizua duke lëvizur me automjet dhe dyshohet se mbante me vete një armë zjarri. I arrestuari është Edmir Xhaferri, banues në Mamurras, Kurbin.

Operacioni i koduar “Target” nisi pas informacioneve të siguruara për një person që qarkullonte i armatosur. Në operacion u përfshinë Sektori për Krimet e Rënda, Seksioni i Mbështetjes Operacionale në DVP Lezhë dhe Komisariati i Policisë Kurbin.

Policia bën të ditur se efektivët lokalizuan 27-vjeçarin teksa lëvizte me automjet në qytetin e Mamurrasit. Sapo ka konstatuar shërbimet e Policisë, Xhaferri nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe ka vijuar lëvizjen me shpejtësi.

Gjatë tentativës për t’u larguar, ai dyshohet se ka përplasur automjetin e shërbimeve të Policisë, duke rrezikuar efektivët. Policia deklaron gjithashtu se gjatë largimit 27-vjeçari hodhi armën e zjarrit që mbante me vete.

Efektivët vijuan ndjekjen dhe pas disa minutash e kapën Xhaferrin në lagjen “Zef Hoti” në Mamurras. Policia sekuestroi një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, automjetin dhe një palë targa.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.

The post I armatosur përplas makinën e policisë dhe tenton të arratiset, arrestohet 27-vjeçari (Emri) appeared first on GIJOTINA.