Tensione para Kryesisë së Kuvendit, protestuesit nga Memaliaj përplasen me Erion Braçen

Tensione janë regjistruar këtë të premte para Kryesisë së Kuvendit, ku qytetarë që kundërshtojnë bashkimin e Bashkisë së Memaliajt me Tepelenën janë përplasur me deputetin socialist Erion Braçe.

Qytetarët u mblodhën para Kryesisë së Kuvendit që prej nisjes në orën 10:00 të mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, ku po diskutohet reforma administrativo-territoriale.

Gjatë protestës, qytetarët iu drejtuan deputetit Erion Braçe, ndërsa mes tyre pati shkëmbim replikash dhe momente tensioni.

Gjatë debatit, një protestuese i kërkoi llogari Braçes për qëndrimin e tij ndaj reformës, ndërsa deputeti e pyeti se nga ishte dhe për kë kishte votuar.

Protestuesit kundërshtojnë propozimin për bashkimin e Memaliajt me Tepelenën në kuadër të  ndryshimeve të diskutuara për hartën administrativo-territoriale.

I pranishëm në protestë është edhe kryetari i Bashkisë së Memaliajt, Albert Malaj. Një ditë më parë, përmes një postimi në Facebook, Malaj u kishte bërë thirrje qytetarëve që të bashkoheshin në protestën e organizuar në kryeqytet.

Protesta po zhvillohet paralelisht me diskutimet në Komisionin e Ligjeve, ku reforma territoriale ka sjellë debate mes mazhorancës dhe opozitës për procedurën dhe propozimet për ndryshimin e hartës së bashkive.

The post Tensione para Kryesisë së Kuvendit, protestuesit nga Memaliaj përplasen me Erion Braçen appeared first on GIJOTINA.