UEFA konfirmon marrjen e dokumenteve nga Real Madridi për ‘çështjen Negreira’, mijëra faqe në duart e hetuesve

Real Madridi ka dorëzuar në UEFA një sasi të konsiderueshme dokumentesh në lidhje me hetimin për ‘çështjen Negreira’, që përfshin ish-zëvendëspresidentin e Komitetit Teknik të Arbitrave në Spanjë, José María Enríquez Negreira.

Presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez, kishte paralajmëruar më 12 maj se klubi do t’i dërgonte UEFA-s një raport të gjerë lidhur me këtë çështje. Tashmë, UEFA ka konfirmuar se dokumentacioni ka mbërritur në zyrat e saj.

Në një komunikatë të shkurtër, organi qeverisës i futbollit europian bëri të ditur se ka marrë nga Real Madridi “një sasi të konsiderueshme dokumentesh lidhur me hetimin në vazhdim ndaj FC Barcelonës për çështjen që përfshin José María Enríquez Negreira”.