Rama të japë llogari! PD kërkon mocion me debat mbi skandalin e SHISH-it, PS kundër: Çështja t’i lihet SPAK-ut

Përplasja mes mazhorancës dhe opozitës për çështjen e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, është zhvendosur edhe në Konferencën e Kryetarëve, ku Partia Demokratike kërkoi zhvillimin e një mocioni me debat, ndërsa Partia Socialiste kërkoi që çështja t’i lihet hetimit të SPAK.

PD, përmes kreut të grupit parlamentar Gazment Bardhi, argumentoi se kërkesa për mocion nuk synon të ndërhyjë në hetimin penal, por të shqyrtojë përgjegjësitë institucionale për emërimin, drejtimin dhe mbikëqyrjen e SHISH.

“SPAK-u është duke e bërë punën e vet. Kuvendi ka punën e vet”, deklaroi Bardhi, duke theksuar se opozita nuk kërkon të marrë të dhëna nga dosja hetimore apo të thërrasë prokurorët në Kuvend.

Sipas Bardhit, Parlamenti duhet të diskutojë përgjegjësitë që lidhen me funksionimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve të sigurisë. Ai ngriti gjithashtu pretendime lidhur me informacionet e publikuara për hetimin ndaj Hysenit dhe tha se çështja prek sigurinë kombëtare.

“SPAK-u është duke e bërë punën e vet. Kuvendi ka punën e vet. Nuk kemi kërkuar ne as të marrim në pyetje prokurorët, as të marrim të dhëna nga dosja hetimore, se është sekret hetimor, as të pengojmë prokurorinë në këtë çështje. Kemi kërkuar të diskutojmë çështje që janë kompetencë e institucionit që ky Kuvend kontrollon”, deklaroi Bardhi.

Nga ana tjetër, PS kërkoi që hetimi t’i lihet SPAK-ut, duke argumentuar se çdo dyshim i ngritur nga organi i akuzës duhet të hetohet dhe zbardhet përmes procedurave të drejtësisë.

Greu i grupit të PS, Tault Balla, u shpreh se hetimet ndaj Vlora Hysenit duhet t’i lihen në dorë SPAK-ut, dhe sipas tij, çdo dyshim i ngritur nga organi i akuzës duhet të hetohet dhe zbardhet deri në fund.

“Presim që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund nga SPAK, të cilët duhen lënë të bëjnë punën e tyre pa asnjë ndërhyrje apo mbivendosje”, u shpreh Balla.

The post Rama të japë llogari! PD kërkon mocion me debat mbi skandalin e SHISH-it, PS kundër: Çështja t’i lihet SPAK-ut appeared first on GIJOTINA.