Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, ka zhvilluar një sërë takimesh me drejtues të lartë të agjencive ligjzbatuese gjatë Konventës Evropiane të Shefave të Policisë, në Hagë të Holandës.
Hita u takua me homologët e tij nga Italia, Spanja dhe Finlanda, si dhe me drejtuesin në detyrë të Policisë së Sllovenisë dhe Komisioneren e Policisë së Holandës.
Në kuadër të takimeve, ai zhvilloi kontakte edhe me drejtuesen e lartë të Byrosë së Sigurisë Diplomatike të SHBA-së, Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) të Mbretërisë së Bashkuar, si dhe përfaqësues të lartë të agjencive ligjzbatuese të Suedisë, Izraelit dhe Moldavisë.
Në fokus të diskutimeve ishte forcimi i bashkëpunimit policor, shkëmbimi në kohë i informacionit dhe koordinimi i operacioneve të përbashkëta, veçanërisht përballë krimit të organizuar, krimit kibernetik, terrorizmit dhe veprave penale ndërkufitare.
Sipas Policisë së Shtetit, gjatë takimeve Hita shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, përmes hetimeve të përbashkëta dhe koordinimit operacional, në bashkëpunim edhe me EUROPOL-in dhe INTERPOL-in.
Homologët ndërkombëtarë vlerësuan kontributin e Policisë së Shtetit në përpjekjet e përbashkëta kundër kriminalitetit dhe shprehën gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve.
“Jemi përballë një krimi gjithnjë e më të organizuar dhe ndërkombëtar, ndaj edhe përgjigjja jonë duhet të jetë e përbashkët, e shpejtë dhe pa barriera”, u shpreh Hita.
Ai theksoi se Policia e Shtetit do të vijojë të investojë në partneritete dhe mekanizma bashkëpunimi, me synim shkëmbimin e shpejtë të informacionit, koordinimin operacional dhe një përgjigje të përbashkët ndaj kërcënimeve kriminale që kapërcejnë kufijtë.