Shqipëria me numrin më të lartë të të paraburgosurve, Rama: S’vazhdohet me shifra të tilla, ta adresojmë!

Shqipëria shënon numrin më të lartë të paraburgimeve, tha kryeministri Edi Rama në prezantimin e draftit për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale. Rama tha se sipas Këshillit të Europës, në janar 2026 në Shqipëri figuronin 62% të paraburgosur. Ai u kërkoi prokurorëve dhe gjyqtarëve që kjo sfidë e përbashkët të adresohet pasi shifra të tilla janë të papranueshme për një vend që synon të jetë pjesë e BE.

“Në Shqipëri peshorja e drejtësisë anon dukshëm nga pesha represive e shtetit. Edhe po të pyesësh IA se cili vend mban barrën më të rëndë të paraburgimit, përgjigjja vjen shumë e hidhur: Shqipëria. Raporti më i fundit i Këshillit të Europës tregon se në janar 2026, 62% e njerëzve në burgjet shqiptare janë të paraburgosur. Mesatarja europiane ishte 26%. Shqipëria 2 herë më keq krahasuar me Europën. Duhet ta pranojmë si sfidë të përbashkët për ta fituar. Duke siguruar mbështetje financiare dhe logjistike për kushtet e punës dhe magjistratët si mision dinjiteti kombëtar. Si mund ta pranojmë ne faktin që krahasimi me Rusinë të jetë edhe më tronditës? Atje, në atdheun e represionit, të paraburgosurit janë 30%? As sa gjysma e Shqipërisë që negocion anëtarësimin në BE. S’mund të vazhdojmë me shifra të tilla pas të cilave ka jetë njerëzish, drama familjesh dhe pasoja të pariparueshme. Jemi popull shumë i vogël për t’ia bërë vetes dëmin kolosal”, tha Rama.