Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takimin e mirëseardhjes me ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, i cili ka nisur zyrtarisht misionin diplomatik në Tiranë.
Rama e ka shoqëruar takimin me një postim të shkurtër në rrjetet sociale, ku ka publikuar vetëm mesazhin:
“WELCOME ”
Në postimin e tij, kryeministri e ka cilësuar takimin si “Takimi i mirëseardhjes së Ambasadorit të ri amerikan në Tiranë, Eric Wendt”, duke e shoqëruar me simbolin e shtrëngimit të duarve.
Wendt i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj më 26 shtator, duke marrë zyrtarisht detyrën si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.
Ai është ambasadori i 11-të amerikan në Shqipëri që prej rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve në vitin 1991. Wendt pason Yuri Kim, ndërsa pas përfundimit të mandatit të saj, Ambasada Amerikane në Tiranë u drejtua nga Nancy VanHorn në cilësinë e të ngarkuarës me punë.
Takimi me Ramën vjen në ditët e para të mandatit të Wendt, teksa ambasadori i ri pritet të zhvillojë kontaktet e para me drejtuesit kryesorë të institucioneve shqiptare.