Kombëtarja shqiptare ka mbyllur përgatitjet për ndeshjen e dytë në UEFA Nations League ndaj San Marinos, që do të luhet nesër në orën 20:45, në “San Marino Stadium”.
Paraditen e sotme, në “Shtëpinë e Futbollit”, ekipi kuqezi zhvilloi seancën e fundit stërvitore nën drejtimin e trajnerit Rolando Maran, duke u fokusuar te përgatitjet fizike dhe aspektet taktike të ndeshjes.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se grupi është në gjendje të mirë dhe pa probleme fizike.
Ashtu si në ndeshjen ndaj Bjellorusisë, i vetmi lojtar që nuk do të jetë në dispozicion është Klisman Cake, i cili vijon rikuperimin.
Gjendja e tij po përmirësohet dhe, sipas parashikimeve, pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Finlandës.
Ndërkohë, me ekipin Kombëtar nuk do të udhëtojë portieri Simon Simoni, i cili do t’i bashkohet Kombëtares U-21, që ka nisur grumbullimin në Tiranë në kuadër të ndeshjes miqësore ndaj Ukrainës U-21.
Kombëtarja do të udhëtojë pasditen e sotme drejt San Marinos. Në orën 19:00, do të zhvillohet edhe konferenca zyrtare për shtyp e trajnerit Rolando Maran dhe një lojtari të Kombëtares. Konferenca do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalin zyrtar të FSHF në YouTube dhe në FSHF TV.
The post Kombëtarja mbyll përgatitjet në ‘Shtëpinë e Futbollit’ për ndeshjen ndaj San Marinos, gjendja e kuqezinjve appeared first on GIJOTINA.