Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas, ka paralajmëruar për kërcënime të reja nga Rusia, duke deklaruar se Moska po përgatit akte sabotazhi dhe sulme që synojnë të dobësojnë demokracitë europiane dhe të përçajnë shoqëritë. Deklarata e Kallas u bë në Bruksel, përpara takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve të BE-së, ku në fokus të diskutimeve do të jenë kërcënimet hibride, siguria europiane dhe mbështetja për Ukrainën.
“Ne shohim në inteligjencë se Rusia po planifikon më shumë akte sabotimi dhe sulme kundër demokracisë sonë për të përçarë shoqërinë tonë, për të frikësuar shoqëritë tona që të mos ndihmojnë Ukrainën”, deklaroi Kallas.
Ajo theksoi se vendet europiane duhet të forcojnë aftësinë për të identifikuar dhe parandaluar kërcënimet përpara se ato të shndërrohen në sulme konkrete.
Ministrat e Mbrojtjes pritet të diskutojnë një sërë masash për përballimin e kërcënimeve hibride, mes tyre edhe një protokoll emergjence që mund të aktivizohet në rast të një kërcënimi ndaj një prej vendeve anëtare.
Në takimin e Brukselit do të trajtohen gjithashtu gatishmëria mbrojtëse e BE-së, mbështetja ushtarake për Ukrainën dhe zhvillimet e sigurisë në Lindjen e Mesme.
Sa i përket mbrojtjes europiane, Kallas tha se vendet e BE-së kanë rritur investimet, por ende ekzistojnë boshllëqe të rëndësishme në kapacitetet ushtarake. Sipas saj, faza e ardhshme duhet të fokusohet në plotësimin e këtyre mangësive.