Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur mëngjesin e sotëm qendrën e Athinës, duke shkaktuar shembjen e një ndërtese dhe plagosjen e lehtë të tre personave.
Ngjarja ndodhi pak para orës 08:00, në zonën e Plakës, pranë kryqëzimit të rrugëve Lysikratous dhe Vasilissis Amalias, përballë Kolonave të Zeusit Olimpian. Zhurma e shpërthimit u dëgjua në një pjesë të gjerë të qendrës së kryeqytetit grek.
Sipas informacioneve të para, shpërthimi ndodhi në një ndërtesë të vjetër dykatëshe, e cila pësoi dëme shumë të rënda dhe u shemb. Pas shembjes, në rrënojat e objektit shpërtheu edhe zjarr, duke shkaktuar mobilizimin e forcave të shumta të emergjencës.
Ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarëve, Michalis Chrysochoidis, bëri të ditur se tre persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e incidentit. Një prej të plagosurve është një kalimtar, i cili u godit nga copëzat dhe rrënojat e ndërtesës pas shpërthimit.
Ndërkohë, zjarrfikësit shpëtuan dy gra nga një ndërtesë ngjitur. Njëra prej tyre raportohet se është e moshuar. Të dyja u morën nga ekipet e urgjencës EKAB dhe u transportuan në spitalin “George Gennimatas” për të marrë ndihmë mjekësore.
Menjëherë pas shpërthimit pati raportime për persona që kërkonin ndihmë, duke ngritur alarmin për mundësinë që njerëz të tjerë të kishin mbetur të bllokuar në ndërtesën e shembur. Chrysochoidis deklaroi për radion SKAI se operacioni i kërkim-shpëtimit ishte ende në zhvillim dhe se autoritetet nuk kishin informacion të konfirmuar nëse nën rrënoja ndodheshin persona të tjerë.
“Operacioni është në kulmin e tij”, deklaroi ministri, duke shtuar se nga pamjet e siguruara nga ekipet në terren ndërtesa rezultonte e shkatërruar rëndë.
Qendra Operacionale e Shërbimit Zjarrfikës u njoftua për incidentin rreth orës 07:45 të 25 shtatorit 2026. Në vendngjarje u angazhuan 16 zjarrfikës me gjashtë automjete, si dhe një mjet special shpëtimi i njësisë EMAK.
Edhe Bashkia e Athinës u mobilizua për të ndihmuar operacionin, duke vënë në dispozicion makineri të rënda për largimin e rrënojave. Zona u rrethua nga policia, ndërsa u vendosën kufizime në qarkullimin e automjeteve për të mundësuar ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës dhe zhvillimin e operacionit të kërkim-shpëtimit.
Fuqia e shpërthimit shkaktoi dëme edhe në zonën përreth. Xhamat e disa ndërtesave fqinje u thyen, ndërsa automjete të parkuara në rrugën Lysikratous pësuan dëmtime. Incidenti ndodhi në një prej zonave më të frekuentuara të qendrës historike të Athinës, pranë monumenteve të rëndësishme turistike. Shkaqet e shpërthimit nuk janë përcaktuar ende zyrtarisht.
Sipas informacioneve paraprake, po shqyrtohet edhe mundësia që incidenti të jetë shkaktuar nga një rrjedhje gazi natyror, por kjo pistë nuk është konfirmuar përfundimisht nga autoritetet.
Ekipi përgjegjës për hetimin e shkaqeve të zjarreve në Athinë ka nisur verifikimet në vendngjarje për të përcaktuar origjinën e shpërthimit.
Operacioni i forcave të emergjencës dhe kontrollet në rrënoja vijojnë, ndërsa priten të dhëna të mëtejshme nga autoritetet greke mbi shkaqet e incidentit dhe nëse ka persona të tjerë të prekur.
The post Shpërthim i fuqishëm në qendër të Athinës! Shembet ndërtesa, tre persona të plagosur appeared first on GIJOTINA.