Ish-drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni u la në masën “arrest shtëpie”. Gjykata e Posaçme del me njoftim zyrtar

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi sot vazhdimin e masës së sigurisë “Arrest në shtëpi” ndaj ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.

Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, kërkesa për marrjen në pyetje të Hysenit ishte paraqitur më 23 shtator nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Pas përfundimit të gjykimit, gjyqtarja Flojera Davidhi, me vendimin nr. 69, vendosi që masa shtrënguese, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, të vijojë të zbatohet.
Gjykata ka vendosur gjithashtu ndalimin e publikimit të plotë ose të pjesshëm të vendimit deri në përfundim të hetimeve paraprake.

Hyseni u largua nga GJKKO pas rreth dy orësh e njëzet minutash. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa ajo refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve për përgjimet e SPAK.

Njoftimi i GJKKO:

Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 23.09.2026 ka paraqitur pranë gjykatës kërkesën për marrjen në pyetje të personit nën hetim Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa e sigurimit “Arrest në shtëpi”.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Flojera Davidhi, me vendimin nr. 69, datë 24.09.2026 vendosi vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim Vlora Hyseni.
Gjithashtu, gjykata, bazuar në nenin 103 të K.Pr.Penale ka vendosur ndalimin e publikimit tërësisht apo pjesërisht të këtij vendimi gjyqësor deri në përfundim të hetimeve paraprake.
Tiranë, më datë 24.09.2026

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.