Kaja Kallas takon Kurtin dhe Vuçiçin në New York, kërkon përparim në dialogun Kosovë-Serbi

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas ka zhvilluar takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, me të cilët ka biseduar për nevojën për të avancuar në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Të tre po marrin pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Në një reagim në rrjetin social X, shefja e diplomacisë së BE-së thotë se marrëveshjet e arritura përmes dialogut dhe ajo e Ohrit janë të detyrueshme dhe se zbatimi i tyre nuk i bën nder Brukselit, por qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë.

“Progresi në normalizimin e marrëdhënieve dhe avancimi në rrugën drejt BE-së duhet të shkojnë dorë për dore. Marrëveshjet e arritura përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, veçanërisht Marrëveshja e Ohrit, janë të detyrueshme.

Zbatimi i tyre nuk është një nder për Brukselin, por i detyrohet qytetarëve të tyre dhe një rajoni që pret marrëdhënie normale. BE-ja do të vazhdojë të jetë një arbitër i paanshëm. Por lehtësimi nuk mund të zëvendësojë vullnetin politik në Beograd dhe Prishtinë. Është koha për të ecur përpara.”, ka shkruar Kallas.

 

The post Kaja Kallas takon Kurtin dhe Vuçiçin në New York, kërkon përparim në dialogun Kosovë-Serbi appeared first on GIJOTINA.