Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë, e cila dënoi me 81 vite burg katër ish-krerët e UÇK-së ka ngjallur protesta në Prishtinë dhe më gjerë.
Ditën e sotme qindra qytetarë shqiptarë kanë protestuar para OKB-së në New York kundër vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Në duar ata mbajnë flamuj kuqezi dhe flamuj të SHBA-së, ndërsa e konsiderojnë vendimin si të padrejtë.
Protestuesit kanë kërkuar rishikimin e vendimit dhe lirimin e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
“Drejtësi, jo politikë”, “Lironi heronjtë tanë” dhe “Heronj të luftës e të paqes”, shkruhej në pankartat e tyre. Protesta në New York vjen pas tubimeve të zhvilluara ditët e fundit në Kosovë dhe vende të tjera në Europë. Kjo ngjarje ka ngjallur protesta në Kanada, Zvicër, Gjermani dhe Austri.
Më 16 shtator Dhomat e Specializuara në Hagë dënuan me 81 vite burg në total katër ish-krerët e UÇK-së, pasi i shpallën fajtorë për krime lufte të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, u dënuan me nga 25 vite burg. Kadri Veseli u dënua me 18 vite dhe Rexhep Selimi u dënua me 13 vite.
Trupi gjykues i shpalli penalisht përgjegjës për vepra që përfshijnë vrasje të paligjshme, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë, trupi gjykues konstatoi se Prokuroria nuk arriti të vërtetojë ekzistencën e një sulmi të përhapur ose sistematik ndaj popullatës civile, një nga kushtet për cilësimin e veprimeve si krime kundër njerëzimit.
The post “Jo në emrin tim”/ Diaspora shqiptare në SHBA proteston para OKB-së në New York: Lironi heronjtë tanë! appeared first on GIJOTINA.