Pikëpyetje mbi urgjencën e arrestimit të kryetares së SHISH-it

Nga Mero Baze

Arrestimi i kryetares së SHISH-it është një ngjarje historike për drejtësinë shqiptare, e cila e ngre shumë lart, me këtë rast, stekën e përgjegjësisë së drejtësisë për të dëshmuar përgjegjshmëri dhe për t’i shpëtuar gjyqit politik. Dhe kur e ngre kaq lart, duhet të kesh dhe fuqi ta ruash këtë standart.

Nuk dua ta paragjykoj vendimin dhe besoj se prokurorët i kanë të qarta pasojat që sjell për autoritetin e drejtësisë nëse rasti është një përsëritje banale e frustrimeve dhe e përdorimit të drejtësisë nga klane politike dhe mllefe personale. Besoj se ata kanë vepruar si prokurorë, pasi ky nuk është një rast që mund të përsëritet shpesh në historinë e shtetit.

Dyshimi i parë që kam është se vendimi u mor ndërkohë që Vlora Hyseni ishte zyrtarisht jashtë shtetit, në një konferencë ndërkombëtare. Nëse arrestimi i saj është një proces i hetuar mirë dhe bindës, më duket e paarsyeshme të shpallet masa e arrestit kur dihet që ajo nuk është në Shqipëri. Jo se do të arratiset, por, për seriozitetin e shtetit, ajo ose duhej të arrestohej para se të nisej, ose duhej të pritej të kthehej.

Arrestimi ndërkohë që ajo është jashtë na bën të besojmë se ata kanë ndeshur në ndonjë fakt të ri emergjent që lidhet me këto 24 orët e fundit. Nëse jo, atëherë duhen shpjegime pse duhej bërë kur ajo nuk ishte këtu.

Dyshimi i dytë lidhet me seancën e vlerësimit të masës së arrestit të Ergys Agasit. Frika se mos GJKKO-ja e nxirrte atë në arrest shtëpie mund të ketë nxitur një reprezalje të re, ku pjesë e saj është edhe kryetarja e SHISH-it.

Nëse është kështu, atëherë masa e arrestit ngjan e orkestruar për nevoja operative të SPAK-ut dhe jo si domosdoshmëri urgjente.

Nuk dyshoj se SPAK-u mund të ketë prova që e bëjnë pis ish-kryetaren e SHISH-it, por, nëse arrestimi i saj është diktuar nga objektivat e tyre për të diktuar masa në gjykata, është tepërim. Nëse bazohet në prova të rënda kundër saj, ajo duhej të ishte arrestuar me kohë, pasi ato prova i kanë, ose duhej ta prisnin në Rinas. Kjo urgjencë e arrestimit, ndërkohë që ajo është në udhëtim zyrtar jashtë vendit, justifikohet vetëm nëse ka ndodhur diçka gjatë këtyre 48 orëve që ajo ka ikur për punë në Baku. Nëse ajo që ka ndodhur lidhet me të, justifikohet. Nëse lidhet me hallet e SPAK-ut për të diktuar vendime gjykatash kundër të dyshuarve të tij, vendimi do të marrë shumë ngjyra politike dhe do të rikthejë debatet pa bukë për Republikën e Prokurorëve.

Goditja e ndikimit të grupit të Agasit në administratën shtetërore është një zhvillim pozitiv që duhet përshëndetur. Por fillimi i të bërit politikë me të mund ta hedhë në erë procesin. Mjafton të kujtojmë se, njësoj si shumë drejtues të administratës, edhe shumë prokurorë e gjykatës bëjnë pjesë në rrethin e ndikimit të paligjshëm të tij. Madje, ka edhe gjyqtare të GJKKO-së që, nën presionin e kësaj dosjeje, prokurorët e Veliajt i urdhëronin të merrnin vendime për seanca gjyqësore për 10 minuta. Pra, nëse me dosjet e prokurorisë bëhet politikë dhe vendosen axhenda kohore që kanë lidhje me axhendat politike, kjo do ta dëmtojë integritetin e këtij hetimi të rëndësishëm.

Për këtë arsye, arrestimi me ngut i Vlora Hysenit ose duhet të justifikohet me një fakt të ngutshëm e të rëndë kundër saj, që të bindemi se e meritonte, ose duhet të na tregojnë pse nuk e paskan arrestuar më parë apo kur të kthehej, pa qenë nevoja të bënin show me një dosje që e kanë pasur në dorë prej muajsh.

Kjo pastaj, në vend që të penalizojë politikën për ndikim të paligjshëm nga bota e krimit, mund të na përballë me një politikë penale për ndikimin e paligjshëm të drejtësisë mbi politikën. Uroj të mos jetë kjo e dyta.