Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, mori pjesë në Ministerialin e Bashkëpunimit të Mbrojtjes të Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor (CEDC), që u zhvillua në Brdo pri Kranju të Sllovenisë.
Takimi u fokusua te forcimi i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, rritja e kapaciteteve të përbashkëta për përballimin e kërcënimeve si dhe koordinimi i politikave në kuadër të Bashkimit Evropian.
Në një reagim në rrjetet sociale, ministri Nufi theksoi se Shqipëria do të vijojë të mbështesë bashkëpunimin rajonal dhe përpjekjet e përbashkëta për sigurinë.
“Shqipëria mbetet e angazhuar për forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, duke kontribuar në konsolidimin e një hapësire evropiane më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më të bashkuar”, u shpreh Nufi.
Ai shtoi se Shqipëria, në koordinim me aleatët dhe partnerët, do të vijojë të mbështesë përpjekjet për paqen, stabilitetin dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
CEDC përfshin Austrinë, Republikën Çeke, Sllovakinë, Hungarinë, Kroacinë dhe Slloveninë. Këtë vit presidenca e formatit mbahet nga Sllovenia, ndërsa Polonia ka statusin e vëzhguesit.
Formati shërben si një platformë për bashkëpunimin në mbrojtje dhe siguri, me fokus diskutimin dhe promovimin e interesave të përbashkëta të vendeve pjesëmarrëse.