Koçiu: Dyfishohet pagesa për 10 700 fëmijë me aftësi të kufizuara, mbulohen kontributet për kujdestarët

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu deklaroi sot se mbështetja për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre mbetet një nga prioritetet e politikave sociale.

Në një postim në rrjetet sociale, Koçiu bëri të ditur se është dyfishuar pagesa për 10 700 fëmijë me aftësi të kufizuara deri në moshën 18 vjeç, përfshirë edhe fëmijët e verbër.

Koçiu theksoi se, “duke nisur nga 1 tetori, mbi 14 000 kujdestarëve dhe ndihmësve personalë do t’u mbulohen kontributet shoqërore dhe shëndetësore”.

“Ka familje që çdo ditë mbajnë mbi supe një barrë që ne shpesh nuk e shohim. Prindër që ia kanë kushtuar jetën kujdesit për fëmijët e tyre. Për ta, çdo mbështetje ka rëndësi. Por nga ana tjetër e dimë mirë, asnjëherë nuk është mjaftueshëm”, u shpreh Koçiu.

Sipas Koçiut, krahas mbështetjes financiare, po zgjerohet edhe ofrimi i shërbimeve pranë familjeve, me synim që fëmijët të kenë më shumë mundësi për t’u zhvilluar dhe familjet të ndihen më të sigurta.

“Kemi bërë hapa përpara, por kemi ende shumë për të bërë. Synimi që i kemi vënë vetes është i qartë: çdo fëmijë të ketë më shumë mundësi për t’u zhvilluar, çdo familje të ndihet më e sigurt dhe shërbimet të jenë gjithnjë më pranë tyre”, theksoi ajo.

Koçiu tha se këto masa janë pjesë e vizionit për Shqipërinë Sociale, me politika dhe shërbime të orientuara drejt familjeve dhe kategorive që kanë më shumë nevojë për mbështetje.

“Kjo është Shqipëria Sociale që po ndërtojmë: më pranë njerëzve, më e drejtë dhe më e kujdesshme ndaj atyre që kanë më shumë nevojë. Hap pas hapi, duke bërë më shumë dhe duke mos lënë askënd vetëm”, u shpreh Koçiu.