Ish-Drejtoresha e SHISH-it, Vlora Hyseni është vetëdorëzuar këtë të martë pranë pikës kufitare në Morinë.
Paraditen e sotme, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lëshuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, si dhe është pezulluar nga detyra. Ajo akuzohet për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror.
Kush është Vlora Hyseni?
Vlora Hyseni ka punuar për disa vite në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ku fillimisht kishte mbajtur postin e drejtoreshës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe më pas, nga viti 2019, atë të zëvendësdrejtoreshës. Në mesin e vitit 2021, ajo u shkarkua nga detyra nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Rruga drejt SHISH
Kryeministri i vendit, Edi Rama, njoftonte se më 17 mars 2023, i kishte propozuar Kreut të Shtetit, Bajram Begajt emrin e Vlora Hysenit, ish-zëvendësdrejtuese e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, për postin e drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH).
Propozimi i kryeministrit u shoqërua me debate dhe kundërshti nga ana e opozitës, e cila i kërkonte në atë kohë Kreut të Shtetit që para dekretimit të merrte informacione të plota rreth saj dhe arsyet e shkarkimit nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.
Pavarësisht kundërshtimeve, Presidenti Bajram Begaj e dekretoi Vlora Hysenin në krye të SHISH-it më 3 prill 2023, rreth dy javë pas propozimit të kryeministrit.
Por, pas më shumë se tre vitesh në krye të SHISH, Vlora Hyseni do duhet të përballet me akuzat e Prokurorisë së Posaçme për dosjen e “AKSHI”.
The post Arrestohet në Morinë ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni appeared first on GIJOTINA.