Aksioni i SPAK nxit debatet në Komision – Kaso: Ka rënë shteti! Xhafaj: Arrestimi i zyrtarëve, shenjë e forcimit të shtetit të së drejtës

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Institucioneve është përfshirë nga debata të nxehta politike pas zhvillimeve më të fundit me masën e sigurisë të nxjerrë nga SPAK për drejtuesen e Shërbimit Informativ Kombëtar (SHISH). Deputeti i Partisë Demokratike, Iv Kaso, dhe kryetari i Komisionit nga radhët e Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, kanë përplasur qëndrimet e tyre mbi rënien e shtetit dhe përgjegjësinë politike të kryeministrit Edi Rama.

Deputeti demokrat Iv Kaso e nisi fjalën e tij duke kërkuar ndryshimin e menjëhershëm të agjendës parlamentare, duke e cilësuar ngjarjen si një nga goditjet më të rënda për shtetin shqiptar në dekadat e fundit.

“Nuk besoj se kjo seancë e sotme e komisionit tonë, apo asnjë seancë e asnjë institucioni publik sot nuk mund të fillojë në mënyrë të zakonshme, pasi ka ndodhur një ngjarje e jashtëzakonshme, besoj nga më të rëndat në këto 36 vite tranzicion dhe demokraci. Sot është vërtetuar dhe është certifikuar përfundimisht rënia e shtetit shqiptar,” deklaroi Kaso.

Më tej, Kaso theksoi se situata ku institucionet e sigurisë përplasen me njëra-tjetrën tregon se sekretet më të larta shtetërore kanë rënë në duart e krimit të organizuar, për shkak të vendimeve politike të vetë kryeministrit.

“Sot ka ndodhur e padëgjuara, kur institucionet e shtetit fillojnë arrestojnë njëri-tjetrin në zyrë, kur drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit merret masë sigurie… Opozita e ka denoncuar emërimin e pakriter të kësaj zonje në krye të institucioneve të sigurisë së vendit, në një mënyrë të dyshimtë dhe për vullnet personal të kryeministrit, i cili sot duhet të mbajë dhe përgjegjësinë,” nënvizoi ai, duke kërkuar gjithashtu dorëheqjen e zyrtarëve të lartë dhe zhvillimin e seancave dëgjimore emergjente.

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj, ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës për “rënie të shtetit”, duke mbrojtur vendimmarrjen e shumicës dhe duke e paraqitur veprimin e organit të akuzës si tregues të pjekurisë demokratike.

“Ju folët për institucion, por në fakt çdo institucion ka detyrën e vet dhe përgjegjësinë e vet. Nëse institucionet e drejtësisë penale kanë funksionin e tyre kushtetues dhe ligjor ndjekjen penale, ne këtu nuk kemi këtë gjë. Ne këtu kemi detyrën tonë si ligjvënës,” u përgjigj Xhafaj.

Lidhur me pretendimet se institucionet po godasin njëra-tjetrën, Xhafaj u shpreh se veprimet e drejtësisë ndaj individëve të caktuar nuk duhet të enaçohen si goditje ndaj vetë institucioneve, por si funksionim i shtetit të së drejtës.