Ndryshim në listën e Kombëtares, Feta Fetai ftohet nga trajneri Maran, Qazim Laçi mungon për shkak dëmtimi

Kombëtarja shqiptare ka një ndryshim në grupin e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet e UEFA Nations League.

Mesfushori Qazim Laçi nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Rolando Maran për këto sfida, për shkak të një dëmtimi të pësuar gjatë ndeshjes së djeshme, ku ka ndjerë një dhimbje akute në nivelin e muskulit fleksor të kofshës.

Në rezonancën magnetike të kryer mëngjesin e sotëm, Laçit i është konstatuar një dëmtim i shkallës së parë i muskulit fleksor të kofshës së majtë. Futbollisti do të nisë programin e rehabilitimit pranë klubit të tij.

Në vend të Laçit, pjesë e grumbullimit të Kombëtares do të bëhet Feta Fetai, i cili do të bashkohet me ekipin në vijim dhe do të jetë pjesë e përgatitjeve për ndeshjet e radhës në UEFA Nations League.

Kombëtarja shqiptare ka nisur sot grumbullimin në kuadër të katër ndeshjeve të para në këtë kompeticion ndaj Bjellorusisë, Finlandës dhe San Marinos, me të cilën kuqezinjtë do të përballen në dy takime.

The post Ndryshim në listën e Kombëtares, Feta Fetai ftohet nga trajneri Maran, Qazim Laçi mungon për shkak dëmtimi appeared first on GIJOTINA.