Vatnikaj rikujtoi zanafillën e protestës dhe theksoi se përpjekjet e pushtetit për t’i frikësuar apo për t’i etiketuar kanë dështuar përballë besimit dhe bashkimit qytetar.
“Shqiptarët janë bashkuar në këtë shesh përtej çdo ndasie. Bashkimi kundër korrupsionit dhe krimit është i vetmi që mund të bëjë ndryshimin në Shqipëri për Shqipërinë që kanë ëndërruar gjyshërit tanë dhe që punojmë ne sot. Kjo protestë nisi me shkakun e dhunës së ushtruar në Zvërnec ndaj një protestuesi! Ne distancohemi nga çdo formë intimidimi e dhune që ndodh në protestë ose jashtë saj sepse kemi mësuar në 114 ditë protestë se vetëm besimi te njëri-tjetri dhe bashkimi me njëri-tjetrin dhe dashuria na bën më të fuqishëm kundër shtetit të krimit, oligarkisë ekonomike dhe mediave të kapura!”
Më tej, aktivistja denoncoi gjuhën e përdorur nga kryeministri Edi Rama si dhe makinerinë e patronazhimit që tentoi të mbulonte degradimin e shërbimeve publike në vend.
“Në 114 ditë kërkesat tona jo vetëm që nuk janë plotësuar por janë shtuar! Mjafton të shikosh si kryeministri në vend që të dëgjonte kërkesat tona filloi të na quante agjentë të huaj, dhe duke mos na parë në sy neve, shqiptarët që kishim shqetësim krimin, korrupsionin e oligarkinë ekonomike! Kush do e besonte se do ja dilnim edhe valës së sulmit të korrikut kur u sulën të gjithë sistemi i patronazhimit për të na mbushur mendjen se spitalet nuk janë aq keq, se shkollat nuk janë aq të pasigurta, se sistemi që ka ndërtuar Edi Rama është i drejtë dhe meritokratik…”
Ajo nënvizoi se sistemi politik ka mbetur i njëjtë prej dekadash, duke vjedhur shtresat më të pamundura për t’u shërbyer oligarkëve.
“…por në 36 vjet ne kemi parë që ka qenë e njëjta fytyrë e pushtetit, ajo që fut dorën në xhepin e të varfërve për t’ia dhënë të pasurve, ajo që e lë spitalin pa serume e pa ilaçe, ajo që e lë shkollën pa mësues se i kthen në profesorë të sistemit të patronazhistëve. Ne kemi thënë mjaft është mjaft! Jemi këtu sepse kemi zgjedhur të jetojmë në vendin tonë dhe shoqërinë tonë ta kthejmë në shoqëri të parimeve të së drejtës!”
Në përmbyllje të fjalës së saj, Sidorela Vatnikaj u ndal te kërkesat kryesore politike të sheshit, duke goditur drejtpërdrejt të dy krahët e klasës së vjetër politike në Shqipëri.
“Në 114 ditë kërkesat tona fillestare mbeten të pandryshuara! Kërkojmë dorëheqjen e Edi Ramës dhe gjithë kabinetit qeveritar! Kemi parë se si pushtetin e kanë mbajtur dy fytyra dhe dy parti, klasa e vjetër politike! Një kërkesë thelbësore është që kryeministri pas kësaj proteste të mund të zgjidhet vetëm për dy mandate gjatë gjithë jetës së tij politike!”
Ajo përfundoi fjalën e saj me thirrjen e prerë për hetimin dhe ndëshkimin e krerëve të politikës shqiptare:
“Kur thoshim se këtë vend e kanë mbajtur dy fytyra, janë dy fytyra që kanë edhe emra: Sali Berisha dhe Edi Rama. Thirrja për t’i dhënë fund këtij monopol jo vetëm, por edhe hetimin dhe çuarjen në burg të dy autokratëve, ndaj edhe sot si ditën e parë kërkojmë: Rama në burg, Berisha në burg!”
gijotina.com/