Reforma në drejtësi është e pakthyeshme, sepse i ka themelet në Kushtetutën e Shqipërisë, u shpreh Ulsi Manja në takimin e sotëm të 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit Shqipëri-Bashkimi Evropian.
Sipas tij, vendi ka kaluar nga faza e ngritjes së institucioneve në atë të konsolidimit dhe zbatimit më efektiv, ku sfida kryesore është efikasiteti.
Manja tha se më 17 qershor 2026 përfundoi vetingu në shkallën e dytë, me mbylljen e 417 çështjeve të rivlerësimit në apel. Prioritet tani, tha ai, janë reduktimi i çështjeve të prapambetura, shkurtimi i kohëzgjatjes së proceseve, plotësimi i vakancave dhe dixhitalizimi i sistemit.
Ai u ndal edhe te ndryshimet e fundit në ligjin për statusin e magjistratëve, të cilat, sipas tij, respektojnë nenin 107 të Kushtetutës dhe pavarësinë e gjyqtarëve, ndërsa kushtetutshmërinë do ta gjykojë Gjykata Kushtetuese.
Për ndihmën ligjore falas, Manja bëri me dije se 20 zyrat përkatëse financohen tërësisht nga shteti dhe se në dy muajt e parë të 2026 kanë përfituar 1 077 persona. Ai shtoi se 66 avokatë kanë nënshkruar për të ofruar ndihmë të specializuar për të miturit.
Në luftën kundër korrupsionit, Manja tha se në janar-gusht 2026 Prokuroria e Posaçme ka regjistruar 20 zyrtarë të lartë, ndërsa 9 çështje me 12 të pandehur janë dërguar në gjykatë. Byroja Kombëtare e Hetimit ka akses në 26 baza të dhënash, ndërsa fokusi, theksoi ai, duhet të shkojë edhe te parandalimi, përmes transparencës dhe integritetit institucional.
Manja i bëri thirrje opozitës të qëndrojë e angazhuar për procesin e integrimit europian dhe kolegëve të tij të ndërmarrin sa më shumë nisma në Kuvend në shërbim të anëtarësimit në BE.