Në Tiranë u zhvillua gjatë paradites së sotme ceremonia e hapjes së Konferencës së 42-të të Shoqatës së Ish-studentëve Evropianë të Akademisë Kombëtare të FBI-së (FBINAA European Chapter), ku marrin pjesë mbi 230 përfaqësues të FBI-së dhe punonjës të agjencive ligjzbatuese nga vende të Evropës dhe më gjerë.
Në fokus të konferencës është forcimi i partneriteteve ndërkombëtare në luftën kundër krimit të organizuar dhe përballja me kërcënimet kriminale që tejkalojnë kufijtë shtetërorë.
Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, vlerësoi bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, duke e cilësuar atë si një element të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar.
Hita theksoi se organizatat kriminale përdorin teknologjinë, lëvizin njerëz dhe para ndërmjet shteteve dhe përshtaten me mekanizmat e kontrollit, ndaj sipas tij edhe përgjigjja e institucioneve duhet të jetë e koordinuar në nivel ndërkombëtar.
“Partneritetet ndërkombëtare nuk janë thjesht një nevojë institucionale, por janë rruga e vetme në luftën moderne kundër krimit të organizuar”, u shpreh ai.
Drejtori i Përgjithshëm përmendi gjithashtu bashkëpunimin e Policisë së Shtetit me FBI-në, DEA-n, EUROPOL-in, Interpolin dhe agjenci të tjera kombëtare e ndërkombëtare, duke i cilësuar rezultatet e operacioneve të përbashkëta si pjesë të procesit të modernizimit dhe profesionalizimit të Policisë shqiptare.
Sipas tij, Policia e Shtetit ka investuar në modernizimin e strukturave, digjitalizimin e shërbimeve, teknologji, analizën e të dhënave, hetimin kibernetik, strukturat operacionale dhe ato të antiterrorit.
Në fjalën e tij, Hita kujtoi edhe 232 punonjësit e Policisë së Shtetit që kanë humbur jetën në krye të detyrës, duke e cilësuar sakrificën e tyre si pjesë të rëndësishme të historisë së institucionit.
“Krimi nuk respekton kufijtë, ndërsa siguria duhet t’i kapërcejë ata”, tha ai, duke nënvizuar nevojën për shkëmbim informacioni, ekspertize dhe koordinim mes agjencive ligjzbatuese.
Konferenca e FBINAA European Chapter synon të shërbejë edhe si një forum për shkëmbimin e eksperiencave dhe forcimin e rrjeteve të bashkëpunimit mes profesionistëve të sigurisë dhe institucioneve ligjzbatuese.
Në përfundim të fjalës së tij, Hita deklaroi se Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për bashkëpunim të ngushtë me partnerët kombëtarë dhe ndërkombëtarë, me synim forcimin e sigurisë së qytetarëve dhe sundimit të ligjit.