Shkruar nga Toni Gogu
Institucionet e forta nuk janë ato që pretendojnë se nuk gabojnë, por ato që dinë të dallojnë mangësinë nga shkelja e ligjit dhe të mësojnë prej gabimit.
Në dy shënimet e mëparshme fola për besimin si provë të reformës dhe për aksesin si derën e parë ku ky besim fitohet ose humbet. Ky shënim i fundit është, ndoshta, më i vështiri. Sepse prek diçka që kultura jonë institucionale, ndoshta edhe kultura jonë si shoqëri, e ka pasur përherë të vështirë: raportin me gabimin.
Jemi mësuar ta shohim gabimin si dështim. Prandaj shpesh e fshehim, rëndom e justifikojmë dhe rrallë e analizojmë. Por institucioni që fsheh gabimin humbet mundësinë më të vlefshme për t’u përmirësuar.
Në drejtësi, këtë e kemi parë edhe pa pasur nevojë për teori. Një afat ligjor që afrohet pa një zgjidhje të bashkërenduar, një nevojë buxhetore që njihet por nuk planifikohet në kohë, një procedurë që secili institucion e lexon vetëm nga këndi i kompetencës së vet dhe papritur një problem i parashikueshëm bëhet krizë. Atëherë fillojmë të kërkojmë kush e kishte fajin.
Një shtet që mëson duhet ta bëjë pyetjen më herët: çfarë lejoi në sistem, që problemi të mbërrinte deri këtu?
Sepse dallimi mes një shteti që vetëm administron dhe një shteti që mëson nuk është se i dyti nuk gabon. Është se e dallon problemin, përcakton përgjegjësinë dhe ndërton mekanizma që problemi të mos përsëritet.
Matja që kupton
Për të mësuar, duhet së pari të dimë çfarë po ndodh. Pra, duhet të matim.
Fjala “matje” në drejtësi ngjall me të drejtë ndjeshmëri: trysni, lista e të mirëve dhe të këqijve, ndërhyrje në pavarësi. Por matja për të cilën flas nuk është kontrolli mbi vendimmarrjen e gjyqtarit dhe as instrumenti i ndëshkimit. Është mënyra për të kuptuar sistemin.
Një shembull e kemi para syve. Gjykata e Lartë ka ulur ndjeshëm stokun e saj të çështjeve gjatë viteve të fundit. Është rezultat që duhet njohur.
Por një numër nuk mjafton. Nuk duhet të pyesim vetëm: sa çështje mbyllëm? Duhet të pyesim edhe: me çfarë ngarkese, me sa njerëz dhe a është ky ritëm i qëndrueshëm?
Dhe pikërisht këto pyetje na çojnë atje ku barra mbetet më e rëndë: te gjykatat ku stoku i çështjeve dhe mungesat në trupën gjyqësore vazhdojnë të prodhojnë pritje të gjata.
Përmirësimi në një hallkë nuk është përgjigje për pritjen në një tjetër.
Një shtet që mëson nuk e përdor shifrën e mirë për ta mbyllur bisedën. E përdor për të bërë pyetjen tjetër.
Për shumë kohë kemi matur aktivitetin: sa ligje u miratuan, sa vendime u morën, sa shërbime u dhanë. Janë tregues të domosdoshëm. Por matja duhet të shkojë edhe te ndryshimi që prodhojmë në përjetesën e qytetarit: sa zgjat një proces, sa i aksesueshëm është një shërbim, sa e kupton qytetari vendimin që e prek.
Pikërisht këtu mund të shërbejë Barometri i Drejtësisë. Nëse ndërtohet me metodologji transparente, standarde profesionale dhe distancë të besueshme nga vetëvlerësimi institucional, ai mund të bëhet pasqyra ku sistemi sheh përjetesën e vërtetë të qytetarit.
Dhe pasqyra ka vlerë vetëm nëse tregon edhe atë që nuk na pëlqen.
Përndryshe nuk është pasqyrë. Është autoportret.
Kufiri që nuk shkelet
Kur flasim për gabimin nga i cili institucioni duhet të mësojë, kufiri duhet të jetë i prerë. Aty ku ka shkelje të ligjit, veprojnë mekanizmat penalë ose disiplinorë dhe asnjë “kulturë e të nxënit” nuk e zëvendëson përgjegjësinë.
Por jo çdo mangësi e një procesi është shkelje. Një procedurë e paqartë, një vonesë që përsëritet apo dy institucione që nuk arrijnë të bashkërendohen kërkojnë analizë dhe korrigjim.
Mangësia duhet të prodhojë mësim institucional; shkelja duhet të marrë përgjigjen që parashikon ligji.
Ngatërrimi i tyre dobëson edhe përgjegjësinë, edhe aftësinë e shtetit për të mësuar.
Nga vettingu te normaliteti
Drejtësia shqiptare ndodhet pikërisht në këtë pikë të rrugës.
Për gati një dekadë, një pjesë e madhe e energjisë së reformës u përqendrua te një proces i jashtëzakonshëm: rivlerësimi kalimtar i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Vettingu ishte një përgjigje e jashtëzakonshme ndaj një problemi të jashtëzakonshëm. Sot ai proces është përmbyllur.
Tani fillon prova tjetër: a dimë ta kthejmë standardin e jashtëzakonshëm në normalitet institucional?
Integriteti nuk mund të mbetet kujtimi i një vettingu të përfunduar. Duhet të jetojë te mënyra si rekrutojmë, formojmë, vlerësojmë dhe si punojnë çdo ditë institucionet e drejtësisë. Reforma piqet kur standardi nuk mbahet më në këmbë nga mekanizmi i jashtëzakonshëm, por nga institucioni i zakonshëm.
Dhe normaliteti kërkon edhe diçka shumë tokësore: njerëz, godina, teknologji dhe burime.
Pavarësia e drejtësisë nuk mbrohet vetëm duke mos ndërhyrë në vendimmarrjen e saj. Mbrohet edhe duke krijuar kushtet që institucionet të kenë kapacitetin për të bërë punën e tyre.
Prandaj nevojat për njerëz, infrastrukturë, teknologji dhe burime duhet të maten, të argumentohen, të planifikohen dhe të trajtohen në kohë përmes institucioneve. Burimet publike janë të kufizuara dhe çdo kërkesë duhet të vlerësohet me përgjegjësi. Por mungesa e tyre nuk mund të zbulohet vetëm kur fillon të pengojë funksionimin e sistemit.
Një shtet që mëson nuk pret që mungesa të bëhet krizë për ta parë.
Reforma nuk mbrohet nga faktet. Përmirësohet prej tyre.
Identitet, jo metodë
Të bëhesh një shtet që mëson nuk është teknikë menaxhimi. Është zgjedhje mbi karakterin e qeverisjes.
Është të pranosh se autoriteti nuk vjen nga pretendimi se nuk gabon kurrë, por nga aftësia për të treguar se, kur diçka nuk funksionon, e dallon, e shpjegon dhe e korrigjon.
Për një vend që synon të ulet i barabartë në tryezën e Europës, ky nuk është luks. Kapitujt 23 dhe 24 nuk maten vetëm me miratimin e reformave, por me zbatimin e tyre të qëndrueshëm dhe të provueshëm. Prova që bind qytetarin brenda vendit është e njëjta provë që bind partnerin jashtë tij.
Edhe kur negociatat të kenë përfunduar, puna e Kapitullit 23 nuk mbaron. Standardet që po ndërtojmë duhet të bëhen jeta e përditshme edhe pasi të mos jenë më faqe negociatash.
Këto tri shënime nuk janë zëvendësim i llogaridhënies. Janë mënyra si propozoj ta lexojmë atë.
Nisa me besimin. Kalova te dera. Mbyll me pasqyrën.
Besimi është arsyeja pse qytetari troket.
Dera është mundësia për të hyrë.
Pasqyra është guximi i shtetit të shohë çfarë i ndodh njeriut pasi hyn në brendësi të tij dhe të mësojë prej saj.
Institucionet e forta nuk janë ato që pretendojnë se nuk gabojnë. Janë ato që dallojnë mangësinë nga shkelja, nxjerrin përgjegjësinë aty ku ligji e kërkon dhe e përdorin përvojën për ta bërë sistemin më të mirë.
Ky është standardi. Jo më për t’u shkruar. Për t’u jetuar.