Shqipëria i bashkohet NASA-s për eksplorimin e Hënës dhe Marsit, më 21 shtator nënshkruan marrëveshjet ‘Artemis’

Shqipëria do të bëhet vendi i 73-të nënshkrues i Marrëveshjeve Artemis, një nismë ndërkombëtare e udhëhequr nga NASA dhe Departamenti Amerikan i Shtetit për bashkëpunimin në eksplorimin civil të hapësirës.

Ceremonia e nënshkrimit do të zhvillohet të hënën, më 21 shtator, në orën 12:00 sipas kohës së Uashingtonit (EDT), në selinë e NASA-s në kryeqytetin amerikan.

Në ceremoni do të jetë i pranishëm ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, së bashku me ambasadorin e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Ervin Bushati. Ceremonia do të drejtohet nga zëvendësadministratori i NASA-s, Matt Anderson, ndërsa do të marrin pjesë edhe zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Një hap gjigant për Shqipërinë! Shqipëria do të nënshkruajë Marrëveshjet Artemis më 21 shtator në selinë e NASA-s në Washington, duke u bërë vendi i 73-të që i bashkohet kësaj nisme, e cila përfshin një sërë parimesh praktike që synojnë të rrisin sigurinë, transparencën dhe koordinimin e eksplorimit civil të hapësirës në Hënë, Mars dhe më gjerë”, shkruan ambasada amerikane në Tiranë.

Marrëveshjet Artemis u krijuan në vitin 2020, gjatë administratës së parë të Donald Trump, me SHBA-në dhe shtatë vende të tjera si nënshkruesit themelues. Nisma u krijua në një kohë kur interesimi për eksplorimin e Hënës dhe aktivitetet hapësinore ishte në rritje, si nga qeveritë ashtu edhe nga kompanitë private.