Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, po vijon në Shkodër aksionin për lirimin e hapësirave publike, me ndërhyrje edhe në zonën pranë shkollës “Mati Logoreci”.
Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale pamje nga aksioni, ku duken mjetet e rënda që po punojnë për lirimin e hapësirave të zëna dhe rikthimin e tyre në funksion të komunitetit.
“Çlirimi i hapësirave të Shkollës “Mati Logoreci” në Shkodër”, shkroi Rama.
Ndërhyrja pranë institucionit arsimor synon krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe më të përshtatshëm për nxënësit, si dhe përmirësimin e hapësirave publike përreth shkollës.
Aksioni për lirimin e hapësirave publike është pjesë e ndërhyrjeve për sistemimin e territorit dhe garantimin e përdorimit të hapësirave të përbashkëta nga qytetarët. Në zonën pranë shkollës “Mat Logoreci”, puna po vijon me pastrimin dhe largimin e zënieve të paligjshme, me qëllim përmirësimin e aksesit dhe të kushteve për nxënësit, prindërit dhe stafin pedagogjik.
IKMT ka bërë të ditur se ndërhyrje të tilla do të vijojnë edhe në zona të tjera të qytetit, në funksion të rritjes së sigurisë, përmirësimit të infrastrukturës dhe rikthimit të hapësirave publike në shërbim të komunitetit.