Granit Xhaka, futbollisti me origjinë shqiptare që është kapiten te Zvicra, ka përfunduar i pandehur për një çështje në 2022 që ka të bëjë me vaksinimin për COVID-19. Sipas gazetës ‘Blick’ lojtari i Sunderland pritet të merret në pyetje nga Prokuoria Publike e Luzernës në fillim të muajit tetor.
Simon Kopp, zëdhënësi i Prokurorisë Publike të Luzernës konfirmoi se ndaj Xhakës dhe mjekes janë hapur procedura penale.
“Qëllimi është të përcaktohet nëse janë kryer vepra penale në lidhje me marrjen e mundshme mashtruese të një certifikate të rreme dhe/ose falsifikimin e dokumenteve,”- deklaroi Kopp.
Më 1 shtator të 2021 Granit Xhaka rezultoi pozitiv me koronavirus dhe konfirmoi se nuk kishte qenë i vaksinuar. Kjo bëri që në atë periudhë të humbistë dy ndeshje me ‘helevetët’ përfshirë edhe atë me Greqinë. Disa muaj më vonë situata ndryshoi. Xhaka u shpreh publikisht se se ishte vaksinuar kundër COVID-19.
Pikërisht kjo është një nga çështjet që po hetohet tani nga autoritetet zvicerane: nëse vaksinimet kanë ndodhur realisht apo nëse për të është lëshuar vetëm certifikata. Megjithatë, mbrojtja e futbollistit mohon se dokumentet janë të falsifikuara. Zëdhënësi i Xhakës, Andreas Bantel, deklaroi se kapiteni i Zvicrës është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet.
“Granit Xhaka është plotësisht në dispozicion të autoriteteve dhe po bashkëpunon në mënyrë transparente,”- tha Bantel.
Ai shtoi se Xhaka disponon një certifikatë nga mjeku që e ka trajtuar, sipas së cilës futbollisti është vaksinuar kundër COVID-19 më 25 janar 2022 dhe më 11 nëntor 2022.
“Granit Xhaka ka një certifikatë nga mjeku që e trajtoi, e cila konfirmon se është vaksinuar kundër COVID-19 për herë të parë më 25 janar 2022 dhe për herë të dytë më 11 nëntor 2022”, sqaroi Bantel.
Edhe mjekja e përfshirë në hetim mohon çdo shkelje. Avokati i saj, Cornel Borbely, tha për “Blick” se klientja e tij këmbëngul se e ka vaksinuar personalisht Xhakën dhe se procedura është kryer në përputhje me rregullat.
Federata Zvicerane e Futbollit, ndërkohë, është shprehur e rezervuar. “Në këtë fazë, nuk kemi informacion të besueshëm për këtë çështje dhe për këtë arsye nuk mund të komentojmë”, deklaroi ASF.
Për momentin, si Granit Xhaka, ashtu edhe mjekja që dyshohet se ka lëshuar certifikatat, konsiderohen të pafajshëm. Hetimi do të duhet të përcaktojë nëse ka pasur shkelje penale dhe nëse dokumentet e vaksinimit të futbollistit janë të rregullta.
Dyshimet e prokurorisë ndaj mjekës lindën në 2023 kur edhe vendosën të sekueronin dokumentet. Sipas hetuesve, disa pacientë dyshohet se kishin marrë certifikata të falsifikuara prej saj dhe jo vetëm Granit Xhaka. Në Zvicër kjo temë është diskutuar më herët edhe për pjestarë të tjerë të botës së futbollit dhe sportit. Të njëjtën situatë pothuajse ka patur sulmuesi i kombëtares Breel Embolo, por edhe Patrick Fischer, trajneri i kombëtares së hokejt në akull.