Nafta fik traktorët, fermeri habitet nga çmimi: Po e blejmë njësoj si makinat luksoze, serbatori bosh!

Çmimi i naftës për fermerët dhe blegtorët ka shkuar në afro 230 lekë, një kosto thuajse e papërballueshme për këta të fundit për të punuar tokat.

Në fshatin Pinet të Tiranës, Xhaferr Tabaku ka disa krerë lopë, dhi dhe 3 traktorë që punon tokën. Por me naftën që ka shkuar në një çmim rekord, për të është e pamundur të ndezi traktorët.

“Kam20 hektarë tokë më qira. Unë në muaj i harxhoj 4 milionë lekë të vjetra naftë. Dalin a nuk dalin, por me 4milionë dalim të punojmë me shkëputje. Na thonë shkoni e mbushni atje në pikën e karburantit, atje shkon për t’u mbushur makina, jo traktori. Pse ma naftën që punon makina duhet të punojë dhe traktori? Asnjëherë s’kam marrë naftë me çmim të reduktuar. Shkojmë e mbushim në pikë të karburantit. Jashtë shteti ka dy lloje: ka për bujqësinë, ka për makinat. Këtu s’ka naftë për bujqësinë, se nuk të ndihmon qeveria. Të hapi pikë karburanti, shkon merr naftën, punon. Unë 20 vjet kam jetuar në Itali. Këto shtëpi i kam bërë jashtë shtetit, se këtu nuk bën shtëpi”, thotë blegtori për A2 CNN.

Me 85 kuaj-fuqi dhe me një serbrator i cili mban më shumë se 200 litra naftë, Xhaferri e ka të vështirë ta ndezë këtë traktor, pasi kostot e tij janë të papërballueshme.

Në këtë pikë duhet të ndërhyjë shteti për t’u ofruar fermerëve dhe blegtorëve naftë pa taksa dhe pa akcizë.