Mbi 400 kilogramë drogë të fshehura në frigorifer, arrestohet i riu shqiptar në Itali

Një 29-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali, pasi policia sekuestroi mbi 414 kilogramë lëndë narkotike, një pjesë e së cilës ishte fshehur brenda frigoriferëve.

Sipas mediave italiane, droga u sekuestrua në zonën e Guidonias dhe kishte një vlerë të përllogaritur mbi 4 milionë euro. Hetuesit dyshojnë se sasia ishte përgatitur për t’u shpërndarë në Romë dhe provincën përreth.

Operacioni nisi pasi policia ndaloi 29-vjeçarin shqiptar ndërsa po përpiqej të ngarkonte disa valixhe të mëdha në bagazhin e automjetit të tij.

Gjatë kontrollit të valixheve, efektivët gjetën rreth 98 kilogramë lëndë narkotike.

Por kontrolli nuk përfundoi aty. Policët i gjetën të riut një grup çelësash dhe nisën verifikimet për të përcaktuar ambientet që hapnin. Hetimi i çoi më pas në disa ambiente në Guidonia dhe Romë, të cilat dyshohet se përdoreshin si depo për lëndën narkotike.

Në njërin prej tyre, policia gjeti një pjesë të drogës të ruajtur brenda frigoriferëve.

Hetuesit kontrolluan edhe ambiente të tjera të lidhura me 29-vjeçarin, përfshirë një garazh.

Brenda tyre gjetën materiale që dyshohet se përdoreshin për paketimin e drogës, si dhe disa fletë të shkruara me dorë me llogaritje dhe shënime për sasitë.

Në përfundim të kontrolleve, policia italiane raportoi se sasia totale e lëndës narkotike të sekuestruar kalonte 414 kilogramë.

29-vjeçari shqiptar u arrestua, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar destinacionin e plotë të drogës dhe personat e tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në aktivitet.

The post Mbi 400 kilogramë drogë të fshehura në frigorifer, arrestohet i riu shqiptar në Itali appeared first on GIJOTINA.