Falsifikim me pronat në Hipotekë, arrestohet drejtori i ASHK-së Fier dhe dy të tjerë

Prokuroria e Fierit ka vijuar hetimet për një skemë të dyshuar të përfitimit dhe regjistrimit të kundërligjshëm të pasurive të paluajtshme në zonën e Levanit.

Në kuadër të operacionit janë arrestuar ish-drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Fier, Ertis Shehu, dhe Ervin Habilaj, i dyshuar si përfitues i pronave, ndërsa për një ish-hartograf pranë ASHK-së Fier është caktuar masa “Detyrim për t’u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore”.

Hetimet kanë nisur në kuadër të procedimit penal për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Njoftimi i policisë:

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Fier ka ekzekutuar 3 masa të tjera sigurie ndaj shtetasve:

* Ervin Habilaj, 49 vjeç, banues në Vlorë, ndaj të cilit Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”;

* Ertis Shehu, 46 vjeç, banues në Tiranë, ndaj të cilit Gjykata ka caktuar masën e dytë të sigurisë “Arrest në burg”;

* Emiljano Ruko 40 vjeç, banues në Fier, ndaj të cilit Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.

Ekzekutimi i masave të sigurisë u krye pasi, në vijim të hetimeve, ka rezultuar se shtetasi E. H., në bashkëpunim me shtetasin Ertis Shehu, ish-drejtor i ASHK-së, i cili mori masën e sigurisë “Arrest në burg” dhe u vu në pranga tre ditë më parë, si dhe me ndihmën e shtetasit E. R., i cili në atë periudhë ushtronte detyrën e topografit pranë ASHK-së, kanë falsifikuar dokumente, me qëllim përfitimi të padrejtë.

Vijojnë hetimet për zbardhjen e rasteve të tjera të shpërdorimit të detyrës, fshehjes së të ardhurave dhe falsifikimit të dokumenteve, si dhe për dokumentimin e përfshirjes së shtetasve të tjerë në këtë skemë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

gijotina.com/

The post Falsifikim me pronat në Hipotekë, arrestohet drejtori i ASHK-së Fier dhe dy të tjerë appeared first on GIJOTINA.