10 mijë euro për familje, Greqia përgatit planin për ripopullimin e zonave të Çamërisë!

Greqia po përgatit një paketë financiare për të sjellë banorë të rinj në zonat që po shpopullohen, duke përfshirë edhe territore përgjatë kufirit me Shqipërinë. Familjet dhe qytetarët që vendosin të transferohen përgjithmonë në këto zona do të mund të përfitojnë deri në 10 mijë euro, ndërsa gjysmën e shumës do ta marrin paraprakisht për të përballuar shpenzimet e zhvendosjes.

Sipas medias greke “Greek Reporter”, programi përfshin Kastorian, Follorinën, bashki malore dhe rurale të Janinës, si dhe Filiates dhe Souli në Thesproti. Aplikimet për programin e zgjeruar “Relocation” pritet të hapen në tetor.

Ministrja greke e Kohezionit Social dhe Familjes, Domna Michailidou, deklaroi se qeveria po e zgjeron skemën në rajonet që përballen me rënie të popullsisë dhe largim të banorëve.

Deri në 10 mijë euro për t’u zhvendosur

Skema parashikon një stimul financiar deri në 10 mijë euro për qytetarët dhe familjet që zhvendosen përgjithmonë në zonat e përcaktuara.

Përfituesit do të mund të marrin paraprakisht 50 për qind të shumës totale, me qëllim mbulimin e shpenzimeve të para të transferimit dhe vendosjes në banesën e re.Qeveria greke ka ndryshuar gjithashtu kriteret për aplikantët.

Është hequr kërkesa që aplikanti të ketë një kontratë pune përpara zhvendosjes. Ky ndryshim u krijon mundësi për të aplikuar edhe profesionistëve të pavarur, personave që punojnë në distancë dhe të rinjve që kanë përfunduar studimet.

Kastoria, Follorina dhe Janina pjesë e programit

Programi fillimisht u zbatua në zona si Evrosi, por qeveria greke ka vendosur ta shtrijë në territore të tjera që përballen me probleme demografike.

Skema përfshin gjashtë njësi rajonale: Kastoria, Serres, Follorina, Kilkis, Pella dhe Drama.Zgjerimi i fundit përfshin gjithashtu bashkitë malore dhe rurale të njësisë rajonale të Janinës, por jo bashkinë kryesore të Janinës.

Në skemë janë futur edhe Filiates dhe Souli në Thesproti, duke e shtrirë programin edhe në zona të Greqisë veriperëndimore pranë kufirit me Shqipërinë.

Skemë e veçantë edhe për Kastellorizon

Qeveria greke po zbaton masa të posaçme edhe për territoret ishullore të izoluara. Në Kastellorizo parashikohet një mbështetje financiare vjetore prej 5 mijë eurosh, së bashku me një shtesë prej 1 mijë eurosh për çdo fëmijë. Kjo skemë vlen si për punonjësit e sektorit publik, ashtu edhe për ata të sektorit privat.

Ministrja Domna Michailidou deklaroi se mbështetja financiare duhet të shoqërohet edhe me shërbimet e nevojshme për familjet që do të vendosen në këto zona. Ajo përmendi çerdhet, shkollat, shërbimet shëndetësore dhe përmirësimin e infrastrukturës lokale.

Platforma për aplikimet në programin e zgjeruar pritet të hapet në tetor. Qeveria greke e ka përfshirë skemën në politikat për frenimin e rënies demografike dhe shpopullimit të zonave rurale dhe kufitare.

 

The post 10 mijë euro për familje, Greqia përgatit planin për ripopullimin e zonave të Çamërisë! appeared first on GIJOTINA.