Lamine Yamal ka ndezur sërish garën për Topin e Artë me një deklaratë që po interpretohet si një thumbim ndaj Harry Kane dhe në mënyrë indirekte ndaj Kylian Mbappé.
Ylli i Barcelonës ka folur hapur për mënyrën se si, sipas tij, duhet të vlerësohet fituesi i Topit të Artë. Për Yamal, trofeu individual nuk duhet t’i shkojë automatikisht futbollistit që shënon më shumë gola apo atij që fiton Champions League.
“Topi i Artë është për lojtarin më të mirë në botë, jo për fituesin e Champions League apo për atë që shënon më shumë gola”, është shprehur Yamal në intervistën e tij për Movistar Plus Deportes.
19-vjeçari e bëri edhe më të qartë qëndrimin e tij duke iu referuar një sulmuesi që ka regjistruar shifra të jashtëzakonshme sezonin e kaluar.
“Nëse shënon 80 gola, nuk do të thotë automatikisht se je lojtari më i mirë. Për këtë ekziston çmimi i golashënuesit më të mirë”, tha ai.
Kjo deklaratë është interpretuar si një thumbim ndaj Harry Kane, i cili sezonin e kaluar përfundoi me 73 gola në të gjitha kompeticionet për Bayern Munich dhe Anglinë dhe fitoi Këpucën e Artë.
Por beteja e Yamal nuk është vetëm me Kane. Në garën për Topin e Artë, emri i tij është vendosur përballë Kylian Mbappé, me të cilin vetë spanjolli ka pranuar se e konsideron veten në të njëjtin nivel.
“Mbappé dhe unë jemi dy lojtarët më të mirë në botë. Kjo është shumë e qartë për mua dhe për të gjithë ata që shikojnë ndeshjet, por mendoj se këtë vit e meritoj unë”, kishte deklaruar Yamal pak ditë më parë.