‘Shqiptarët do ua japin ballit’, Rama debat me opozitën në orët e para të mëngjesit: Ju përzënë nga protesta-amanet mushkat…

-Seanca plenare e 17 shtatorit, vijoi deri në orët e para të mëngjesit, ku pas votimit të draftit të Partisë Socialiste lidhur me pagat e magjistratëve, diskutimet u hapën mes kryeministri Edi Rama i cili ishte i pranishëm në Kuvend dhe opozitës. Një nga çështjet që hapi debatin mes Ramës dhe kreut të grupit parlamentar të PS, Gazment Bardhit ishte arbitrazhi me Francesco Becchettin. Bardhi kundërshtoi deklaratën e Ramës se biznesmeni nuk ka marrë para nga shteti shqiptar dhe i kërkoi llogari edhe për pagat e magjistratëve. Nga ana tjetër kreu i qeverisë u shpreh se nuk ka asnjë lekë nga shteti shqiptar ndaj kompanisë Albcontrol, pa u zgjidhur çështja njëherë e mirë.

Gazment Bardhi: Fillimisht the që s’ka vendim arbitrazhi. Doli që kishte vendim arbitrazhi. Fillimisht the që subjekti në fjalë ka marrë zero lekë nga buxheti i shtetit. Pas 30 sekondash, ‘ato që i ka marrë nga Albcontrol-i’, a thua se ato nuk janë të shqiptarëve dhe të buxhetit të shtetit, ‘do t’i kthejë kokërr më kokërr’. Pra, do të thotë që kthehet një gjë që është marrë, se në qoftë se nuk është marrë, nuk ka çfarë kthen. Por do bëje mirë që t’i përgjigjeshe akuzës së kolegut, jo për këtë çështje, se këtë çështje ke 10 vjet që na thua ‘do t’i ndodhë një gjë atij, se ai po hetohet’. E kemi dëgjuar këtë përrallë dhjetëra herë këtu në seancë plenare.

Edi Rama: Churchill thoshte se hajvani nuk ndryshon as mendje dhe as argument. Ai njeri nuk ka marrë asnjë lekë e nuk do marrë. Fondi është një fond i ngrirë, deri në fund të procesit. Ai që u kthye hero, që u bë i tillë duke bërë heronj plehrat, ndërsa sot nuk ka marrë asnjë lekë e ne jemi në disa procese. Shqiptarët do ua japin ballit sa të vijnë zgjedhjet, sepse nuk janë budallenj.

Rama ironizoi opozitën edhe lidhur me protestën e qytetarëve, e cila vijon prej më shumë se 100 ditësh. Kreu i qeverisë duke iu referuar demokrates Jorida Tabaku, tha se është demokratike të protestohet kundër qeverisë, ndërsa opozitën po e përzënë.

Edi Rama: Do të doja që dikush t’ia përcillte fjalën time Tabakut, meqë nuk është, sepse foli me pasion për protestën, dhe t’i thotë që të jesh në qeveri dhe të protestojnë kundër teje quhet demokraci, kurse të jesh në opozitë dhe të të përzënë nga protesta quhet ‘amanet mushkat, se kuajt ikën.